Serbi – Më 23 shtator procesi ndaj “Grupit të Gjilanit”

Qeveria e Serbisë këtë aktakuzë ndaj të lartpërmendurve të caktuar si “Grupi i Gjilanit” e ka ngritur më 25 qershor. Nëntë nga shtatëmbëdhjetë të akuzuarit ndodhen në burgun qendror të Beogradit, Agush Memishi, Faton Hajdari, Ahmet Hasani, Nazife Hasani, Samet Hajdari, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti, Selimon Sadiku dhe Burim Fazliu, të cilët edhe do të paraqitet drejtpërdrejt para Gjyqit të Qarkut në Beograd. Kryetari i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Luginë Preshevës, Orhan Rexhepi thotë se të akuzuarit janë plotësisht të pafajshëm. “Tashmë dihet saktë se nuk ekziston as edhe një fakt argumentues për fajësinë e tyre eventuale përpos faktit se ata janë shqiptarë. Gjithçka flet se ky është një proces i montuar politik i cili do të duhet t’i shërbejë qeverisë serbe si “alibi” në shtjellimet eventuale të muajit nëntor. Jemi të bindur se faktori ndërkombëtar është duke e përcjellë me vëmendje këtë rast dhe se gjyqi serb nuk do të guxojë të lëvizë jashtë rregullave të përgjithshme aq sa dëshiron vetë”, thekson Rexhepi.

Advertisement