Nga ana tjetër qytetarët e Serbisë sërish do të kenë nevojë për viza kur të udhëtojnë drejt Turqisë, por këto viza merren në pikat kufitare. Vendimi për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit turq hyn sot në fuqi, në ditën kur kryeministri turk Taip Erdogan do të vizitojë Beogradin. Erdogan do të takohet me presidentin Boris Tadiç kryeministrin Mirko Cvetkovic dhe zyrtarë te tjerë të lartë. Gjatë bisedimeve në Beograd delegacioni turk do të nënshkruajë memorandumin mbi mirëkuptimin për realizimin e ndërtimit të pjesës së autostradës Lig-Çaçak -Pozhega që është pjesë e autostradës Beograd – Adriatiku jugor. Gjithashtu do firmoset marrëveshja mbi realizimin e projektit të rikonstruktimit të rrugës shtetërore M8 nga Novi Pazari deri në Alinoviç. Gjatë qëndrimit në Serbi kryeministri turk do të vizitojë Beogradin por edhe disa zona të tjera serbe si Novi Sadin dhe Novi Pazarin. Vizita e kryeministrit turk bëhet në momentin kur marrëdhëniet ndërmjet Ankarasë e Beogradit, sipas vlerësimeve të mëhershme të presidentëve të dy vendeve janë në “shkallën më të lartë në histori ”, gati në shkallën e ”partneritetit strategjik”.