Sandër Lleshaj reagon për herë të parë pas vrasjes së 25-vjeçarit: “E vërteta, ngushëllimi më i madh”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar sot për herë të parë, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha pak metra larg shtëpisë së tij, nga një efektiv i Policisë.

Lleshaj në një mesazh që ka postuar në rrjetet sociale shprehet se ka shumë arsye se përse e ndien fort se çfarë do të thotë humbja e të riut për prindërit dhe familjarët, duke iu shprehur ngushëllimet. Ministri thotë se kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, që nga të afërmit e viktimës e deri tek pjesëtarët e Policisë së Shtetit, ndërsa shpreh besimin në organet ligjore përgjegjëse për finalizimin e hetimit për vrasjen e Rashës. Për të “e vërteta është ngushëllimi më i madh”.

Advertisement

Mesazhi i plotë i Ministrit të Brendshëm:

“E VËRTETA ËSHTË NGUSHËLLIMI MË I MADH

Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike.

Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.

Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët.

Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.”