Rusi – Nuk pranohen ndryshime në marrëveshjen “Start”

Deklarata kërcënuese u bë gjatë pasdites prej Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. “Traktati Start nuk mund të rihapet apo të bëhet subjekt i bisedimeve të reja midis të dy shteteve. Rusia nuk do të pranojë asnjë ndryshim të ri, rreth një marrëveshje të arritur më parë”, deklaroi Lavrov në agjensinë e lajmeve “Interfax”. Republikanët në Senat kanë bllokuar ratifikimin e traktatit, i cili kërkon një aprovim prej të paktën 2/3-ash. Në shtypin amerikan u përhapën në ditët e fundit fjalë se republikanët do të jepnin votën e tyre në favor vetëm nëse do të bëheshin disa ndryshime, pas deklaratave të disa senatorëve që kërkuan rishikime. ”Traktati Start, i cili është hartuar mbi bazën e reciprocitetit, i plotëson tërësisht interesat kombëtarë të Rusisë dhe SHBA-së”, shtoi Ministri i Jashtëm. “Ai është i plotë dhe nuk ka arsye për t’u modifikuar”.

Advertisement