Sipas marrëveshjes Rusia do të ndihmojë Venezuelën në ndërtimin e një stacioni bërthamor të aftë për prodhimin e izotopeve për qëllime paqësore në industri dhe mjekësi. Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti rus, Dmitri Medvedev dhe ai venezuelian, Hugo Çavez, që ndodhet për një vizitë në Moskë. Palët kishin rënë dakort në muajin Prill për projektin e ndërtimit të centralit bërthamor. Vetë presidenti rus në deklaratën e tij për mediat pas firmosjes së marrëveshjes, i parapriu reagimit që mund të vijë nga Uashingtoni zyrtar. “Nuk e kam idenë se kush mund të trembet nga ky lajm. Presidenti Çavez më tha se ka vende që mund të shfaqin ndjenja të tjera përballë kësaj marrëveshje, por mua më pëlqen të them se synimet tona janë absolutisht të sinqerta dhe të hapura”, u shpreh Medvedev në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun venezuelian. Çavez në fjalën e tij tha se Venezuela synon zhvillimin e energjisë së pastër, si ajo nukleare, diellore dhe ajo e erës, që mbeten edhe prioritet globale.


