Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, mori pjesë sot në punimet e takimit të dytë jo formal të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Nga Bukureshti, MPJ kosovare në njoftimin e dërguar bën të ditur se, para ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të kësaj organizate të rëndësishme, ministri Hoxhaj ka folur për relevancën e SEECP-s për rajonin si dhe argumentet pse Kosova duhet të anëtarësohet në këtë organizatë. Ministri Hoxhaj tha se ky takim është një mundësi e mirë për të diskutuar perspektivat dhe shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, duke shtuar se prezantimi kredibël në këtë takim dëshmon se SEECP do të mbetet një platformë serioze e avancimit të bashkëpunimit në rajon. Hoxhaj shpreh përkushtimin e Kosovës për të punuar bashkërisht për të shmangur perceptimin e Ballkanit si një model i ndarjes, dezintegrimit dhe dhunës. “Përpjekjet tona të përbashkëta mund të transformojnë Ballkanin në një rajon që gjeneron paqe, stabilitet dhe prosperitet”, tha ai. Lidhur me përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat rajonale, ministri Hoxhaj tha se në gjashtë vjetët e fundit Kosova ka pasur dy fokuse kryesore, shtetndërtimi i brendshëm, ku ne arritëm të ndërtojmë një shtet multietnik, demokratik dhe sekular, dhe fokusi i dytë ishte fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Që nga viti 2008, Kosova i ka provuar bashkësisë ndërkombëtare se është një faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon, dhe kemi dëshmuar vullnetin për të fuqizuar bashkëpunimin me të gjithë fqinjët dhe vendet e rajonit.