Duhet të ndjekim disa rregulla të cilat n’a ndihmojnë që ngjyra të rrijë gjatë pasi përfundojmë pushimet verore.
Kështu pasi jeni siguruar se keni marrë kremin e duhur për të mbrojtur lëkurën tuaj nga rrezet e dëmshme, duhet të kini parasysh se menjëherë pas ekspozimit në diell duhet të lageni herë pas here me ujë. Në këtë mënyrë lëkura do të hidratohet dhe do të ruajë elasticitetin. Por nuk mjafton vetëm të njomni lëkurën tuaj, gjithashtu duhet dhe të pini shumë ujë gjatë kohës që jeni në plazh. Menjëherë pasi ktheheni nga plazhi, pas dushit duhet të përdorni kremra me bazë frutash për lëkurën tuaj, nuk ka rëndësi nëse janë të shtrenjtë apo jo, e rëndësishme është të jenë të përshtatshëm për lëkurën tuaj. Dushin nuk duhet t’a bëni në asnjë mënyrë me ujë të nxehtë apo më keq akoma të futeni në hidro masazh. Gjithashtu lëkurën nuk duhet t’a fërkoni me sfungjer të ashpër, pasi ky i fundit do t’ua nxjerrë menjëherë ngjyrën e lëkurës. Një mik i mirë për këtë rast është dhe ushqimi. Preferoni të konsumoni ushqim të pasur me vitaminë A, E dhe me beta karroten apo omega 3 (peshk, kajsi, domate, karrote, brokoli, spinaq, portokalle, speca, kiwi).