Edi Rama gjatë fjalës së tij ka sulmuar kryeministrin për demagogji dhe padituri në lidhje me atë çka ofron qeveria e tij për familjet në nevojë, duke anatemuar një prej vendimeve të qeverisë të miratuar dje paradite. Bëhet fjalë për vendimin e qeverisë për libra falas për familjet me ndihmë ekonomike. “Dhënia e librave me skemën jo funksionale të rimbursimit ka bërë që të shtohet analfabetizmi dhe numri i atyre që braktisin shkollën për shkak të pamundësisë për të blerë libra. Kjo është e pafalshme pasi Shqipëria nuk duhet të jetë nënë për disa e njerkë për disa fëmijë të tjerë” u shpreh Rama. Më tej ai shtoi se “është tronditëse që Kryeministri i vendit, në fund të mandatit të tij nuk e dinte se abetaret dhe librat e shkollës qeveria ua shiste fëmijëve. Për këtë, fëmijë të varfër të këtij vendi nuk shkonin dot në shkollë, duke mos e ditur akuzonte opozitën se gënjen dhe thoshte me të madhe se librat jepeshin falas. Ja ku doli dhe tha, se me një vendim të qeverisë, librat do të jepen falas. Sali Berisha qëndron i mbyllur në kutinë e televizorit, nga ku premton gjëra që as që ka ndërmend t’i mbaj, qysh se i thotë dhe jo më që nuk i mban dot edhe sikur të përpiqet.” Gjatë takimit në Rrogozhinë, kreu i socialistëve, Edi Rama nënvizoi se qeverisja e nesërme e pas 28 qershorit do të jetë ashtu si në dy vite dialog, pranë njerëzve duke marrë vendime në konsultim me grupet e interesit, por edhe me njerëzit në çdo cep të vendit. ‘Nuk do qeverisim për interesa familjesh të vogla, por për interesin e familjes së madhe shqiptare” tha Rama.