Portugezi Cristiano Ronaldo fitoi sot në mbrëmje Topin e tij të tretë të Artë, çmimi më i lartë individual në futboll, duke lënë pas sulmuesin argjentinas Lionel Messi dhe portierin gjerman, Manuel Neuer, njoftoi FIFA.
Ronaldo, i cili e ka marrë këtë çmim edhe në vitet 2008 dhe 2013, u barazua me Johan Cruyff (1971, 1973, 1974), Michel Platini (1983, 1984, 1985) dhe Marco Van Basten (1988, 1989, 1992). “CR7″-a, që është epiteti i tij, është një makinë e vërtetë golash. Me 17 golat e tij, ai ishte artizani i të famshmes “decima”, thënë ndryshe titulli i 10-të i fituar nga Reali i Madridit në Ligën e Kampioneve. Edhe pse me ekipin e tij kombëtar, Portugalinë, Ronaldo nuk arriti asgjë në Brazil 2014, votuesit i dhanë çmimin për faktin se gjatë vitit 2014, në 60 ndeshje ai shënoi 61 gola.