Romë | Kryeministri Berisha: para çdo fitoreje elektorale jam takuar me Papën

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi ditë historike për Romën dhe mbarë botën inaugurimin e Papa Franceskut në krye të Kishës Katolike. Sic njofton zyra për shtyp e kryeministrit, gjatë një prononcimi për mediat nga Vatikani ku mori pjesë në këtë ceremoni, i shoqëruar edhe nga Kryeparlamentarja Topalli, Berisha vlerësoi Papën Francesku, si papën e dhembshurisë njerëzore dhe të përkujdesjes për ata që janë në nevojë. “Pata rastin të shtrëngoj dorën shumë miqësisht dhe t’i uroj sukseset më të mëdha, në misionin e tij hyjnor në udhëheqje të Kishës Katolike botërore, por edhe ta ftoj të vijë në Shqipëri si një mik i madh e i shquar i popullit shqiptar” tha Berisha. Ndërkaq, duke iu referuar momentit në të cilin ndodhi takimi me Papën, Kryeministri e ka cilësuar këtë si një koincidencë faktlume në karrierën e tij. “Nuk mund të mos theksoj një koincidencë fatlume në karrierën time politike. Që nga viti ’92 e gjer më sot, para çdo fitoreje elektorale, unë kam pasur fatin e madh të jem në Vatikan e të takohem me Atin e Shenjtë, nga Papa Gjon Pali II tek Papa Francesko I, çka është në mënyrë të pamohueshme një bekim hyjnor për fitoren e ardhshme, për të mos thënë që edhe qielli vegoi”. Duke paralajmëruar fitoren në zgjedhjet e pritshme, Berisha bëri thirrje; “të ecim të sigurt drejt 23 Qershorit, drejt fitores së bekuar nga Ati i Shenjtë.” Po, kështu, zyra për shtyp e kryeministrisë njoftoi se, Kryeministri Berisha pati një takim edhe me Kryeministrin e Kosovës HashimThaçi, i cili kryesonte delegacionin e Kosovës në ceremoninë e inaugurimit papal.