Rinisin reshjet në Fier e Vlorë, vijon shpërndarja e ndihmave

Në të gjithë vendin kanë rinisur reshjet e dëborës dhe shiut.

Në zonën e përmbytjes, në Novoselë dhe në Komunën Dërmenas, ku ndodhet edhe fshati Darzezë, situata është duke u rënduar. Banorët e zonës kërkojnë ndihmë për të ushqyer kafshët e mbetura gjallë nga përmbytja e parë, sepse vërshimi i ujërave ka shkatërruar çdo gjë, përfshi edhe rezervat ushqimore.
Ndërkohë, prurjet e Vjosës janë ulur dhe kjo ka bërë që në shumë zona në Novoselë, por edhe në Komunën Dërmenas, uji të largohet. Repartet e ushtrisë po vijojnë shpërndarjen e pakove me ndihma, të cilat vijnë nga bizneset, Kryqi i Kuq dhe rezervat e shtetit.
Megjithatë, ndihma më e madhe po jepet nga vetë banorët për njëri-tjetrin. Gjatë orëve të përmbytjes, të gjitha familjet janë strehuar dhe ushqyer në banesat e të afërmve të tyre, në zonat jashtë përmbytjes.
E ndërsa personat e aftë për punë janë rikthyer në zonën e përmbytjes për të rikuperuar dëmet, të moshuarit dhe fëmijët e mitur po mbahen nga të afërmit e tyre. Thirrje për solidaritet kanë bërë edhe deputetët e zonës, të cilët kanë shpërndarë ndihma financiare dhe ushqimore.
Pas largimit të plotë të ujërave, banorët shpresojnë në një vlerësim të drejtë dhe në dëmshpërblim nga ana e shtetit, për shkak se pjesa më e madhe e ekonomisë bujqësore dhe blegtorale e tyre është dëmtuar shumë rëndë.

Advertisement