Nga dita e sotme, vogëlushët e zonës së Bregut të Lumit kanë një çerdhe të rikonstruktuar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot i pranishëm në çerdhen “Zërat e Jetës”, ku mori pjesë në përurimin e rikonstruksionit të kësaj godine me mbështetjen e Alpha Bank, e cila u bë pjesë e nismës “Adopto një çerdhe”.
“Fakti që sot ‘Zërat e Jetës’ është një ndër çerdhet më model të Tiranës, pikërisht në zonën e Bregut të Lumit, në një nga lagjet më të varfra dhe me kushtet ekonomike më të vështira, është tregues se kemi të njëjtën vëmendje si për qendrën e Tiranës, ashtu edhe në periferi, për t’u siguruar që çdo qytetar i Tiranës merr të njëjtat shërbime”, deklaroi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës falënderoi “Alpha Bank” që iu përgjigjën ndër të parët thirrjes për të marrë një çerdhe në adoptim.
“Jam i ndërgjegjshëm që Tirana ka shumë probleme. Pyetja më e rëndësishme është: nga t’ia fillojmë. Ne kemi zgjedhur të fillojmë nga qytetarët më të vegjël, nga ata që nuk votojnë e nuk paguajnë taksa, pikërisht sepse besoj se forca e një qyteti duket se si drejton më të dobëtit dhe më të vegjlit”, theksoi Veliaj.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank, Periklis Drougkas, i cili falënderoi Bashkinë e Tiranës për mundësinë që i dha për të rinovuar këtë çerdhe.
“Jemi krenarë për faktin që jemi këtu sot dhe jemi po ashtu krenarë që shohim fytyrat e gëzuara të fëmijëve. Aktiviteti ynë ka qenë gjithnjë në shërbim të komunitetit dhe ne do të vijojmë të mbështesim projekte që kanë si qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit”, tha Drougkas.
Çerdhja “Zërat e Jetës” është pjesë e projektit të nisur nga Bashkia e Tiranës pak kohë më parë për adoptimin e çerdheve, për të cilat u kërkua ndihma e bizneseve për t’i kthyer në funksionalitet të plotë.
Në përfundim të ceremonisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank, Periklis Drougkas shpërndanë edhe dhurata për femijët.