Politika duhet të marrë përsipër fajin për gjendjen aktuale të sistemit të drejtësisë. Kështu ka deklaruar kreu i komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj. Ai tha se opozita ka një mundësi të mirë për të qënë pjesë e procesit.
“Unë besoj që opozita ka një shans të mirë për të qënë pjesë konstruktive e këtij procesi. Së paku, në këto 16 vjet ka qënë 8 vjet në pushtet PD, dhe po aq edhe PS dhe aleatët e tyre. Kështu që më së paku do të duhej që politika e të gjithë krahëve të bënte një “mea culpa” për realitetin që kemi sot. Në fund të fundit është politika ajo që ka lejuar apo ndikuar që sistemi i drejtësisë sonë të karakterizohet me një sërë problematikash të thella që cënojnë dhe kanë cënuar pavarësinë e tij, llogaridhënien, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë për të dhënë drejtësi për qytetarët”, tha Xhafa.
Në një deklaratë të pak ditëve më parë, Presidenti i Republikës deklaroi se me reformën në drejtësi po shmanget institucioni që ai drejton dhe specialistët e pavarur. Ai foli për reformë tendencioze duke u shprehur se, “nuk mund të realizohet në mënyrë të vërtetë një reformë në drejtësi nga militantë dhe ekstremistë të politikës”.
Kreu i reformës në drejtësi ka shprehur rezerva lidhur me këto deklarata të Presidentit Nishani.
“Ka një pikë që bashkohem me Presidentin që është shumë e rëndësishme: vlera, integriteti moral dhe politik i personit që ulet në karrigen e Presidentit. Nuk jam dakord në shumë çështje që ka trajtuar dhe në gjuhën e përdorur për misionin e tij kushtetues, dhe nuk besoj se është punë të merresh me Presidentin e Republikës, as siç nuk mendoj që është punë të japësh intervista për të gjykuar apo intimiduar të tjerët. Nëse secili do kishte bërë punën e tij në gjithë këto vite dhe nëse të gjithë do të bëjnë shumë mirë punën e tyre sot, jam i bindur që nuk do të kishim këtë sistem drejtësie që kemi sot”, vijoi z. Xhafa.
Përsa i përket marrëdhënieve PS- LSI, Xhafa tha se nuk ka një krizë të koalicionit por kërkoi më shumë përgjegjshmëri për bashkëqeverisjen.
“Ka nevojë për më shumë përgjegjshmëri në këtë bashkëqeverisje në sensin e raporteve dhe brenda koalicionit. Nuk më duket serioze që shumë gjëra tëe trajtohen nëpërmejt deklaratve, intervistave apo Facebook”, tha Xhafa.