Para një viti dy këngëtaret e njohura për publikun, Elina Duni dhe Eda Zari, organizuan një koncert në formë proteste kundër ndërtimeve në Parkun e Valbonës, me temën “Mos ma prek Valbonën”.

Koncerti kishte shumë impakt te njerzit të cilët ju bashkuan dhe protestave të tjera me të njëjtën temë dhe me qëllim ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në Valbonë. Sot, një vit më vonë, do të zhvillohet i njëjti koncert, me të njejtën tematikë, por për mbrojtjen e një tjetër zone shumë të bukur të Shqipërisë.

Advertisement

Ndërtimet e HEC-eve që po kryhen në lumin Vjosë kanë nxitur kundërshtimin e shumë njerëzve, përfshirë këtu dhe emra të njohur të artit si: Elina Duni, Eda Zari, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, etj. Ata do të bashkohen në një koncert sensibilizues në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, kundër shkatërrimit të kësaj bukurie natyrore me temë “Mos ma prek Vjosën”. Artistët kanë përgatitur dhe një video ku i ftojnë të gjithë të marrin pjesë në koncert-protestën e sotme.

Ndërtimet në natyrë janë një shkatërrim ekologjik me të cilin Shqipëria po përballet shpesh kohët e fundit, për këtë arsye ftohen të gjithë njerëzit të bashkohen njëzëri kundër shkatërrimeve dhe ndotjes që po i bëhet natyrës së bekuar të Shqipërisë.

Shpresojmë që koncerti të arrijë të bindë autoritetet përkatëse të anulojnë ndërtimin e HEC-ve pranë lumit të bukur të Vjosës, e cilësuar ndryshe dhe si “Xhevahiri i egër i Europës”.