Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramo Ruçi u është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha se PS po tenton të sabotojë reformën në drejtësi.
“Çfarë po kërkon, po kërkon Pazar? Komisioni i Venecias foli qartë: reforma është domosdoshmëri, duhet bërë sa më shpejt. Foli qartë: punë e lavdërueshme e komisionit parlmanetar dhe shumë ekselente e ekspertëve të nivelit të lartë shqiptarë. Ti sot sulmove komisionin dhe ekspertët”, i është drejtuar Ruçi-Berishës.
Nëse duam reformë në drejtësi, vijoi shefi i socialistëve, në radhë të parë duhet të përulemi. “Nëse do bëjmë reformë dhe do hiqen të inkriminuarit, atëherë duhet të jetë një kontigjent i pastër që ta udhëheqë këtë”, ka thënë Ruçi.
“Duhet konsensus për të bërë një reformë sipas standardeve, siç erdhën përfundimet paraprake dhe si do të vijë raporti përfundimtar i Venecias”, ka thënë më tej Ruçi.
Berisha: Rama, armiku kryesor i reformës në drejtësi
Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur në seancën parlamentare ka akuzuar mazhorancën dhe në veçanti kryeministrin Rama se po pengon reformën në drejtësi.
“Njeriu që saboton reformën në drejtësi është Edi Rama. Këtë e them bazuar në fakte të pakundërshtueshme. Njeriu që mashtron shqiptarët duke thënë se po bën reforma është Edi Rama”, ka deklaruar Berisha.
Drafti i Komisionit të Venecias, është shprehur ish-kryeministri, “nuk thotë, prokuror Edi Rama dhe gjyqtar Edi Rama”.
Gjithashtu, Berisha ka akuzuar Ramën se po vonon edhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit sepse i druhet hetimeve mbi aferat e tij korruptive.
“Byroja e Hetimit do fillojë me ndërtimin e Surrelit dhe me pallatin 5-katësh. Por reforma do të bëhet, se nuk mund të vazhdohet me mashtrime”, ka thënë më tej Berisha.
Rama: Do thellojmë partneritetin publik-privat
Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën plenare të kësaj të enjteje ka mbrojtur politikat e qeverisë në ekonomi dhe ka nënvizuar se ekzekutivi do të rrisë bashkëpunimin publik-privat.
Në fjalën e tij, Rama ka vënë në dukje se ky opsion, që synon të rrisë cilësinë e shërbimit në shëndetësi dhe sektorë të tjerë, është promovuar së fundmi edhe nga Banka Botërore.
“Rasti në fjalë ka qenë në Brazil dhe ka qenë një histori suksesi. Ne do vijojmë me këmbëngulje ta zgjerojmë bashkëpunimin me sipërmarrjen në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve”, ka thënë Rama.
Sipas tij, ky partneritet do të japë efekte edhe sa u takon investimeve. “Nëse ne nuk rrisim borxhin, por përkundrazi ka një trend në ulje; nëse nuk rrisim taksat, por përkundrazi ka një trend në ulje, atëherë rruga e tretë për përmirësimin e investimeve në funksion të përmirësimit të shërbimeve është partneriteti publik-privat”, ka thënë Rama.
“Kjo nuk është shpikja jonë, por Shqipëria është e fundit në rajon dhe Evropë për zbatimin e këtij partneriteti. Kjo është një politikë e qartë dhe e mirëpërcaktuar”, ka shtuar kryeministri.
Më tej ai u është përgjigjur akuzave të opozitës për konçesionet duke i kujtuar konçesionet e saj kur ishte në pushtet. “Të mos harrojmë konçesionin e skanimit të konteinerëve, për hidrocentralet, për kontrollin e automjeteve, etj”, ka vijuar Rama.
Ai ka folur edhe për raportin e Transparency International për luftën kundër korrupsionit, “që e vendos Shqipërinë në një vend shumë më të mirë se një vit më parë”.
“Ju që akuzoni vazhdoni të jeni jo opozita, por qeveria e vjetër, që çdo vit keni ulur në mënyrë brutale dinjitetin dhe imazhin e vendit. Reformat kanë nisur të japin rezultate në luftën kundër korrupsionit, që do të mbetet një luftë e qeverisë për të ndërtuar shtet”, ka thënë Rama.
Më tej ai u është përgjigjur edhe akuzave të ish-kryeministrit Berisha, i cili sipas tij, “është i vetmi stalinist që ka mbetur në Europë, ndaj dhe gjuetinë e shtrigave e ka në plan të parë”.
Sa u takon akuzave të bëra për check up-in, Rama ka sqaruar se, “check up-i nuk bën analiza”. “Gara e bërë nga qeveria synonte verifikimin e një kompanie që të kishte një rrjet distribucioni në gjithë Shqipërinë, në mënyrë që të bëhet shpërndarja e bazës shëndetësore. Në Shqipëri ka 4 kompani që e bëjnë këtë”, ka thënë Rama.
Sa për reformën në drejtësi, kreu i qeverisë ka thënë se, “kush e saboton do të marrë një përgjigje si asnjëherë më parë”.
Vokshi: Partneriteti me korrupsionin, busulla e kryeministrit
Deklaratave të kryeministrit Rama për konçesionet i është përgjigjur deputetja e PD, Albana Vokshi, e cila është paditur nga kryeministri për shpifje.
“Partneriteti me korrupsionin është busulla e këtij kryeministri, pa asnjë njohuri në ekonomi dhe me eksperiencën e 20-përqindëshit, i cili po ia u jep ekonominë donatorëve që i blenë partinë”, ka deklaruar Vokshi.
Sipas saj, në këto dy vjet qeveria e majtë ka rritur varfërinë për 95 për qind të shqiptarëve dhe ka rritur oligarkinë për qarqet pranë saj.
“Rekomandimet e forumit të Davosit, që propozoi rritjen e investimeve publike, uljen e korrupsionit dhe kontrabandës për uljen e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve janë rrugë të pashkelura nga qeveria, që ka ulur investimet publike dhe ka stopuar rritjen e rrogave dhe pensioneve”, ka thënë më tej Vokshi.
Rritja e numrit të azilkërkuesve ka qenë një tjetër pikë e prekur nga deputetja e opozitës. “Nga 2014 në 2015 numri i kërkesave për azil nga 4.500 është rritur në 25 mijë. Cfarë ka bërë qeveria për këtë? Sigurisht, asgjë”, ka thënë ajo.
Vokshi, e cila është paditur nga kryeministri për shpifje, ka shtuar: “Mezi pres të përballemi publikisht për të bërë transparencë për ato koncesione që kemi përmendur dhe ato që ju nuk përmendni”.
Beqaj: Mjeku në familje, tashmë falas për shqiptarët
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke marrë fjalën në seancë plenare ka deklaruar se qeveria ka hedhur hapin e parë në ofrimin e shërbimit shëndetësor falas.
“Që nga dje, mjeku i familjes ofrohet falas për këdo që jeton në Shqipëri. Nuk ka qenë kështu deri pardje, me atë pseudo-reformën tuaj”, ka thënë Beqaj duke iu drejtuar opozitës.
Duke iu përgjigjur akuzave të bëra në adresë të tij për konçesionet, Beqaj ka thënë se, “Në shëndetësi nuk ka konçesione dhe nuk ka kontrata më të gjata se 4 vjet”.
“Partneriteti me privatin do të vazhdojë”, ka pohuar Beqaj, duke shtuar se qeveria po bashkëpunon me kompani të huaja prestigjoze.
Më tej Beqaj e ka vënë theksin tek nevoja e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore, duke nënvizuar se, “në vend ka një shkallë të lartë pazbulueshmërie të sëmundjeve”.
Ahmetaj: Rritja ekonomike, trend pozitiv. Investimet e huaja në rritje
Duke folur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj u është përgjigjur akuzave të opozitës për korrupsion me konçesionet dhe për vendimmarrje që sipas saj kanë dëmtuar ekonominë.
“Është një tremujor pozitiv, me rritje ekonomike dhe me një trend në rritje. Kjo konfirmon konsolidimin e ekonomisë dhe shumë sektorëve. Ka sektorë që kanë lënguar ndër vite, si sektori i ndërtimit, që këtë herë është ngritur”, ka thënë Ahmetaj.
Ai u është përgjigjur edhe akuzave për rënien e investimeve të huaja si pasojë e keqqeverisjes. “Investimet e huaja do të kalojnë mbi 450 milionë euro. Pavarësisht manipulimeve të qëllimshme dhe sulmeve ndaj investitorëve të huaj, shifrat flasin ndryshe”, ka thënë Ahmetaj.
“Shqiptarët kanë besim tek ekonomia shqiptare dhe tek monedha e vendit dhe rritja e ekonomisë konsumatore është 5.2 për qind”, ka shtuar ministri i Ekonomisë.