Reforma në drejtësi, PS e LSI: Ta votojmë javën e ardhshme

Java e ardhshme duket se do të jetë vendimtarja për fatin e reformës në drejtësi, kur do të hidhet në votim në parim dhe nen për nen në Komisionin e Posaçëm projekti i diskutuar deri më tani. Në përfundim të mbledhjes së kësaj të mërkure, kreu i këtij komisionit, Fatmir Xhafaj foli për hapat e mëtejshëm. “Tashmë kemi një projekt kushtetues dhe gjatë javës që vjen do të mbledh rregullisht Komisionin për të diskutuar projektin në parim dhe nen për nen dhe për t’ja kaluar Kuvendit për debatin parlamentar”, tha Xhafaj. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe LSI pak para Xhafajt. “Reforma nuk do të dështojë. Të hënën do të votojmë në parim reformën në drejtësi dhe më pas do të ecim me shpejtësi në miratimin nen për nen”, tha kreu i grupit parlamentar i kësaj force politike, Petrit Vasili. Ajo që pritet tashmë është qëndrimi përfundimtar i opozitës. Përmes Eduard Halimit, Partia Demokratike kërkoi kohë që të njihej me ndryshimet e draftit dhe pjesa që e shqetëson më shumë ka të bëjë me mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë që krijohen nga kjo reformë.

Advertisement