Reforma në drejtësi, Meta takon Vlahutin: Përgjegjësi e forcave politike të ndërtojnë konsensusin

Kryetari i Kuvendt, Ilir Meta, zhvilloi sot, në prag të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, një takim me Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin.

Meta shprehu vlerësimin e tij të lartë për angazhimin dhe kontributin e Bashkimit Evropian, vendeve anëtare, ambasadorëve dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë dhe në veçanti të Ambasadores Vlahutin, për mbështetjen maksimale që i kanë dhënë procesit për hartimin e kësaj reforme me interes jetik për qytetarët dhe vendin, për të rritur besimin tek një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe me integritet të lartë.

Advertisement

Realizimi me sukses i këtij procesi, theksoi Meta, është një kontribut madhor për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarisim në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

Meta vleresoi rolin e rëndësishëm të ekspertëve të EURALIUS-it, OPDAT-it dhe shqiptare për kontributin dhe ecurinë e deritanishme të këtij procesi dhe theksoi se fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në vlerësimet e Raportit të Ndërmjetëm duhet të mbizotërojë dhe udhëheqë palët deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi madhor dhe historik.

Meta theksoi se është përgjegjësi e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, e të gjitha forcave politike që në këtë frymë të ndërveprojnë dhe ndërtojnë konsensusin e domosdoshëm përmes gjithëpërfshirjes me synimin e vetëm kurorëzimin me sukses të saj, në funksion të interesit më të lartë publik, rritjes së besimit tek drejtesia dhe institucionet publike, si dhe luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Meta shprehu vlerësimin dhe falenderimin e tij për Ambasadoren Vlahutin dhe Ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu për përpjekjet dhe kontributin e veçantë për të promovuar dialogun, gjithëpërfshirjen dhe konsensusin, si dhe shprehu besimin se angazhimi i tyre do të vijojë deri në kurorëzimin me sukses të kësaj reforme historike.