Telefoni i parë holografik mbërrin andej nga s’e priste njeri. Kompania Red, e njohur më së shumti për prodhimin e kamerave të filmimit me cilësi të lartë, prezantoi pajisjen e vet.

Bëhet fjalë për telefonin inteligjent të pagëzuar me emrin “Hydrogen One”, e që vjen në dy forma, me kasë alumini dhe që kushton 1200 dollarë dhe me kasë titaniumi, 1600 dollarë.

Advertisement[the_ad id="69159"]

Telefoni holografik do të funksionojë në bazë të sistemit Android të Google dhe që prej të enjtes mund të porositet në internet.

Ky hap i Red ka zënë të papërgatitur ekspertët e teknologjisë, që një gjë të ngjashme e prisnin nga gjigantët si Apple, apo Samsung, por edhe Microsoft, që herë pas herë thotë se ka avancuar në projektin e vet për një pajisje të tillë.

Megjithatë, skepticizmi se kompania në fjalë nuk është testuar në fushën e telefonave inteligjentë mund të godase ecurinë e këtij produkti në treg.

Red shquhet për kamerat e veta super të fuqishme dhe është furnizuesi kryesorë i Hollywood me të tilla, ku vetëm së fundmi përuroi me Guardians of the Galaxy Volume 2 kamerat 8K.

“Hydrogen One është themeli i së ardhmes së një sistemi shumëdimensional ndërveprimi”, thotë Red në deklaratën shoqëruese, ku jo pa krenari shpalos produktin e vet.

Kjo pajisje zuri të papërgatitur edhe vetë ekspertët më në zë të teknologjisë. “Në epokën e teknologjisë, ku vështirë se mund të ruash sekrete, Hydrogen One i Red ishte një sekret që nuk doli kurrë”, thonë ata.