Pas deklaratës së Ambasadës Amerikane, me anë të një statusi në Facebook ka reaguar deputeti Tom Doshi.
Ai mbështet thirrjen e Ambasadës për dekriminalizimin e Kuvendit, por sipas tij duke filluar nga Kryetari i Kuvendit deri dhe tek çdo deputet i thjeshtë.
“Tom Doshi nuk është i përfshirë kurrë në asnjë akt kriminal. Nuk kam përfituar kurrë padrejtësisht, dhe kurrën e kurrës nuk jam përshirë në akte kriminale kundrejt pronës apo individit. Kam arritur çdo gjë në jetën time në bazë të përpjekjes time të ndershme”, shkruan Tom Doshi.
Doshi shprehet se është i gatshëm të vërë në dispozicion të Ambasadave një video prej 37 minutash ku rrëfehet me detaje historia e ndjekjes së tij prej disa muajsh nga kriminelët e paguar, sipas tij, nga Ilir Meta.
“Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty”. Gjithashtu, ai kërkon dhe sjelljen e hetuesve profesionistë të gjykojnë së bashku me Prokurorinë Shqiptare këto akuza.
“Ditet e fundit Edi Rama më ka bërë ofertë që ta fsheh këtë krim duke me dhënë garanci se qeveria dhe partia do vazhdojnë të më mbështesin dhe se nuk do ketë masa ndaj meje. Unë nuk bëj pazare me askënd për jetën time dhe të fëmijëve të mi. Krimi duhet të hetohet dhe dënohet, ashtu sic Ambasadorët e nderuar shprehen në deklaraën e tyre. Jam i gatshëm të bashkëpunoj deri në fund me drejtësinë”, mbyllet reagimi i deputetit Tom Doshi.