Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë reagoi me anë të një deklarate me tone të forta pas përjashtimit të deputetit Tom Doshi.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar zotin Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale”, thuhet në deklaratën për shtyp, ku më tej shtohet:
“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri që të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e Kuvendit për të hartuar një legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe të ndjekë penalisht kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar në të gjitha nivelet”, përfundon komunikata.
Ndërsa deklarata e misionit të BE-së në Tiranë vjen me tone më diplomatike kur thotë se, “BE mbështet hapat që nevojitet të ndërmerren për një zbatim të plotë të marrëveshjes mes partive qeverisëse dhe opozitare në Parlamentin e Shqipërisë, përfshirë çështjen e individëve me dosje kriminale të cilët mbajnë pozicione publike”.
Në deklaratë theksohet se, “BE-ja i jep rëndësinë më të lartë zbatimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të shtetit ligjor, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që jane përparësi kyçe për Shqipërinë”.