Rama: Vota në drejtimin e duhur, do ta kthejë Dibrën në promotore të zhvillimit rajonal

Arkiv

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Dibër kandidatin për Bashki, Shukri Xhelili të propozuar nga Koalicioni për Shqipërinë Europiane.
Bashkia Dibër duhet të kthehet në promotore të zhvillimit rajonal, tha kreu i PS-së në fjalën e tij.
Sipas tij, Dibra është një zonë me resurse të mëdha, që ka nevojë për një administrim të drejtë për tu kthyer në një promotor të zhvillimit rajonal, teksa nënvizoi se zgjedhjet e 21 Qershorit janë zgjedhje për të zgjidhur hallet e qytetit dhe jo politike.
“Është shumë e thjeshtë. Qytetarët e Dibrës e kanë parë me sytë tyre që në 20 vite demokraci ky qytet nuk ka ndjerë asnjë investim. Ulëritën ata të Shqupit për rrugën e Arbrit, por ajo ende nuk është bërë. U duhet të vinte 23 Qershori 2013, që në Shqipëri gjërat të ndryshonin dhe tashmë Rruga e Arbrit është duke u bërë. Prandaj për ju është e qartë se kush është drejtimi i duhur”, tha Rama.
Sipas tij, në këto zgjedhje kandidojnë dy palë. “Nga njëra anë janë kandidatët që kërkojnë të jetësojnë një projekt për qytetin, nga krahu tjetër janë ata të Shqupit, të cilët e kanë mëndjen tek politika dhe jo tek qytetarët dhe kur dalin e kërkojnë votën, thonë do ulim çmimin e dritave. Po ç’lidhje kanë dritat me Bashkinë?”, pyeti ironikisht Rama.
“Ne, shtoi Rama, falë edhe reformës së re administrative, ku nuk do kemi më komunar që do punojnë sipas orekseve të tij, do i mundësojmë kryetarit të Bashkisë të ketë të gjithë autoritetin e duhur për të ndërhyrë dhe mirëmenaxhuar qytetin, prandaj dhe shumë shpejt me votën në drejtimin e duhur, do të rregullojmë totalisht sistemin e ujitjes, kanalizimet të harruara tashmë prej më shumë se 20 vitesh”, nënvizoi Kreu i qeverisë.
Gjithashtu Kryeministri u shpreh se vota në drejtimin e duhur do të thotë linjë transporti brenda standardeve, do të thotë më shumë vende pune dhe medoemos mirëqënie më të lartë.
Kreu i Ekzekutivit ironizoi sërish me Partinë Demokratike, kur tha se Shqupi nuk kërkon bashkëpunim, por edhe kur e kërkon ka hall se e shohin. “Ja u kam treguar atë historinë e kryetarit të Bashkisë që më telefonoi për të zgjidhur një hall të komunitetit të tij dhe më tha se nuk mund të takoheshim në zyrë se e shihnin, por ku ta takoja unë atë”, tha Rama. Gjithashtu, Rama u shpreh se më i miri i Shqupit nuk di të bëjë azgjë. “Këta më të mirin e tyre e kanë në Tiranë. Ai në katër vite nuk ka bërë asgjë dhe nuk do të mbahet mënd për asgjë. Të gjithë kryetarët e Bashkive në kryeqytet, mirë apo keq kanë lënë shenjën e tyre, por ky as shenjë nuk ka lënë”, tha Rama.
AI ftoi dibranët të ndjekin drejtimin e duhur për të ardhmen e komunitetit të tyre, pasi në krye të Bashkisë, sipas Ramës, duhet një kryetar Bashkie që do të bashkëpunojë dhe jo që e ka frikë se e shohin.
Shukri Xhelili, kandidati i koalicioni të majtë për Bashkinë e Dibrës, shpalosi disa nga projektet e tij për drejtimin e qytetit, teksa u zotua për bashkëpunim me bashkëqytetarët e tij.

Advertisement