Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në seancë plenare për të akuzuar Partinë Demokratike se i ka shpallur luftë reformës në drejtësi.
“Sot jemi këtu një ditë pasi PD i ka shpallur luftë reformës në drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit. Dje, pasi erdhi këtu më 21 korrik dhe votoi me pahir reformën kushtetuese, depozitoi në gjykatë rrëzimin e vetting-ut, sistemit që do të pastrojë kazanin e sistemit të drejtësisë nga plehrat”, ka thënë Rama.
Rama tha se rruga për të cuar përpara këtë reformë do të vijojë me apo pa dëshirën e PD-së. Sipas tij PD po refuzon të votojë paketën që krijon kuadrin ligjor për nisjen dhe realizimin e procesit për krijimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.
“Dihet botërisht që fati i reformës, por edhe i procesit historik për hapjen e negociatave me BE lidhet me 7 ligjet. Njëri ligj, më kryesorin, e çuan dje në Gjykatën Kushtetuese, në aleancë të hapur me korrupsionin, krimin dhe mafian që mban peng drejtësinë”, ka vijuar Rama.
“PD bën sikur nuk e di që SPAK pa institucionet e tjera nuk mund të ngrihet”, ka shtuar Rama.