Rama: T’i japim fund politikës së shantazhit dhe denigrimit

Gjykata e Lartë zhvilloi sot seancën e parë të çështjes që lidhet me padinë e Kryeministrit Edi Rama ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, për shpifje dhe fyerje nën akuzat e lidhjes me krimin.

Në përfundim të seancës së pajtimit mes palëve, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “për mua nuk ka asgjë për t’u pajtuar, sepse kjo nuk është personale dhe nuk është një akuzë e ngritur për një mosmarrëveshje mes një personi dhe një personi tjetër”.
“Kjo është një dosmodoshmëri për publikun, për të ditur të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër veç të vërtetës. Nëse pala që më ka detyruar të drejtohem në dyert e gjykatës do të provojë çfarëdoqoftë nga ato që ka thënë, publiku duhet ta dijë sepse bëhet fjalë për kryeministrin e Shqipërisë. Në të kundërt, publiku duhet të dijë po ashtu nëse pala që është e akuzuar këto akuza i ka ngritur për të cënuar integritetin e institucionit të kryeministrit”, deklaroi Rama në një prononcim për mediat.
Kryeministri ritheksoi se, “është koha t’i jepet fund politikës së shantazhit, politikës të baltës, të denigrimit dhe politikës së talljes së përditshme në opinionin publik”. Sipas tij, “është koha gjithashtu që gjykatat të marrin rolin që u takon, të arbitrit të paanshëm dhe të pavarur për t’i shërbyer opinionit publik me gjykimin mbi çfarëdo akuze dhe çfarëdo pretendimi”.
I pyetur mbi provat që do të ofrojë lidhur me këtë çështje penale, Rama tha se, “qytetërimi ynë e ka zgjidhur që në kohën e romakëve çështjen e provës”. Ai shtoi se “barra e provës i takon atij që akuzon, jo atij që akuzohet”.
Ndërkohë, Kryeministri siguroi se do ta ndjekë këtë proces deri në fund dhe do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore, sepse ia detyron këtë të gjithë opinionit publik shqiptarë dhe të gjithë atyre qytetarëve që turbullohen nga helmi i përditshëm që prodhon bari i SHQUP-it.
Kryeministri Edi Rama kallëzoi penalisht Edi Palokën në muajin janar të këtij viti, duke e akuzuar për shpifje. Padia erdhi pasi kreu i grupit parlamentar të PD-së artikuloi akuza publike ndaj Kryeministrit Rama për lidhje me krimin, e veçanërisht me Emiljano Shullazin, një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare.

Advertisement