Rama: Të hiqen vizat për Kosovën. Ky është turp për Europën

Kryeministri Edi Rama deklaroi se mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është një turp për vetë Europën.Në fjalën përshëndetëse në fillim të mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe qeverisë se Shqipërisë, Kryeministri theksoi se mirëpret liberalizimin e vizave për shtetin më të ri europian.
Kryeministri Edi Rama theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, se Shqipëria mbështet fuqishëm Kosovën dhe është dhe do të jetë përherë partner kryesor.Ashtu sikurse edhe më herët, Rama përmendi shqiptarët e Preshevës dhe mbështetjen e Tiranës zyrtare për ta, duke kërkuar nga Serbia që të garantojë të drejtat e bashkëkombasve tanë në këtë territor.
Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vlerësoi po ashtu bashkëpunimin e deritanishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se tashmë Qeveritë po realizojnë ëndrrën për komunikim të pafrenuar.
Megjithatë, tha Mustafa, marrëdhëniet tona ekonomike kanë mbetur më prapa se në fushat e tjera.
“Qeveritë tona do të heqin barrierat që bashkëpunimi të jetë frytdhënës”, tha Mustafa.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi se anëtarësimi i dy vendeve tona në Bashkimin Europian dhe ankorimi euroatlantik, janë prioritetet kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës, në politikën e tyre të jashtme.
“Bashkëpunimi dypalësh ne fushën e sigurisë mes nesh është shumë i rëndësishëm, në situatën e fundit të krijuar në botë”, tha Bushati.
Kryediplomati shqiptar theksoi se Konferenca e Berlinit është ogur i mirë për transformimin e Ballkanit nga pikëpamja e sigurisë dhe projekteve të ndryshme që do të sjellin edhe përmirësimin ekonomik të dy vendeve tona.
“Më shumë se marrëveshjet që nënshkruajmë sot, ka rëndësi cilësia e bashkëpunimit mes nesh, që janë një sinjal shumë i mirë jo vetëm për shqiptarët në vendet tona, por ata bashkëkombasit tanë në diasporë”, tha Bushati.

Advertisement