Rama takon Topin: Negociuam për të bashkëpunuar në zgjedhjet vendore

Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, është takuar me kreun e Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, për të diskutuar rreth bashkëpunimit për zgjedhjet e pritshme vendore.“Ka hapësirë bashkëpunimi, pasi përpara kemi zgjedhjet vendore”, tha Rama pas takimit, duke e konsideruar FRD-në si një “rast specifik” dhe si një “parti të moderuar në spektrin e djathtë”.
“Ka qenë një takim i hapur dhe kemi identifikuar pikat e përbashkëta, sidomos për qasjen ndaj reformave shtetndërtuese, për të cilat FRD ka qenë gjithnjë aktive. Tani, gjithçka mbetet për t’u parë në vijim”, shtoi Rama.
Ndërsa kryetari i FRD-së tha për mediat se, iu përgjigj ftesës së Ramës për negociata. Ai kritikoi administrimin e deritanishëm të pushtetit vendor dhe theksoi se “ne jemi për komunikim, ndaj në këtë takim shtruam për diskutim çështje parimore”.
“Për zgjedhjet vendore nuk ka përse të mos bëhen koalicione politike. Ne jemi për të ndërtuar koalicione të gjera mbi bazën e parimeve dhe njëkohësisht të vijojmë të bëjmë oponencën. Ky ishte takimi i parë dhe do të pasohet nga takime të tjera për të negociuar”, tha Topi.

Advertisement