Kryeministri Edi Rama është takuar sot paradite me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu.
Sipas mediave, në takim e zhvilluar në kryeministri, ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri.
Mësohet se takimi është mbajtur pak ditë përpara vizitës disaditore që Kreu i Ekzekutivit do të zhvillojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burime zyrtare nga kryeministria bëjnë të ditur se këtë të enjten, shefi i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë në ‘World Leadership Forum’, në New York, një event i organizuar nga Shoqata për Politikë të Jashtme.
Ndërsa të premten, më 25 shtator, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila këtë vit do të jetë e përqendruar në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Gjithashtu, shefi i mazhorances shqiptare pritet të marrë pjesë në eventin “Impakti i së ardhmës” që do të organizohet në datat 26-29 shtator në New York nga “Fondacioni Klinton”.
Kryeministri Rama do të jetë njëri prej 1000 pjesmarrësve që vijnë nga bota e biznesit, politikës apo shoqërisë civile.