Kryeministri Edi Rama ka vijuar takimet me fermerët duke u ndalur në Karbunarë të Lushnjes ku sërish nënvizoi vënien në funksionim të Fondit Kombëtar të Garancisë deri 300 milionë euro në tre vitet e ardhshme, një bashkëpunim me BERZH dhe bankat e nivelit të dytë. “Fondi Kombëtar i Garancisë do të funksionojë edhe si fond garancish për interesat. Ka një pjesë të Fondit që garanton interesat. Ata që do të marrin kredi nga bankat, në një pjesë të tyre, sipas projekteve, do t’i kenë ato pa interes, sepse interesat do t’i garantojë shteti. Nga ana tjetër po ndërtojmë sportelet unike për fermerët, në mënyrë që fermerët të kenë mundësi të informohen, të konsultohen dhe të ndihmohen përmes këtyre sporteleve për projektet e tyre për financim,” – u shpreh Kryeministri. Kreu i qeverisë tha se së shpejti nis edhe një projekt i ri për ujitjen dhe kullimin ku qeveria i ka akorduar pushtetit vendor, paketën më të madhe financiare të mbështetjes së ujitjes dhe kullimit. “Brenda pak javësh fillon një projekt i ri për ujitjen dhe kullimin. Ai që kemi, është një sistem ujitje e kullimi primitiv. Ndërkohë që sistemi që do të fillojë të instalohet në këtë pellg dhe që do të përfshijë zonën e Divjakës, një pjesë të mirë të Lushnjës, një pjesë të Roskovecit dhe një pjesë të Fierit, është një sistem i ujitjes i mbuluar, ashtu siç janë ujësjellësit të mbuluar, në mënyrë që të mos kemi problem në të ardhmen me llumëra, me ferra, inerte etj. dhe të kemi një administrim shumë më të mirë të ujit që vjen për ujitje. Kjo falë një projekti që prej 2 vitesh kemi punuar me Bankën Botërore dhe tani fillon realizimi,” – u shpreh Kryeministri. Kryeministri Rama ka thënë edhe se do të cohet më tutje procesi i titujve të pronësisë.