Kryeministri Edi Rama shpërndau sot 250 leje legalizimi në qytetin e Vlorës.
Kryeministri u shpreh se këto legalizime vijnë pas një periudhe të gjatë pritjeje, por edhe pas një periudhe ku zyra e ALUIZN-it në këtë qytet është gjetur në gjendje të mjeruar.
“Këto legalizime vijnë pas një periudhe të vështirë për shkak të trashëgimisë shumë të rëndë në këtë qytet dhe zonë ku për fat të keq gjetëm një sitautë njësoj si pas një bombardimi, ku dosjet e njerëzve që kishin aplikuar ishin lënë në gjendje skandaloze”, tha Rama.
“Jemi të gatshëm, theksoi Rama, që t’i japim një përgjigje konkrete dhe zgjidhje përfundimtare një shqetësimi dhe ëndrre që të gjithë ju njereëzit e zakonsëm i keni ndërtuar, jo për biznes, por për të strehuar familjen”.
Për ne, vijoi Rama, “ky proces është i një rëndësie të madhe kombëtare për ndarjen nga një epokë kaosi, rrënimi dhe ngatërresash të pafundme në çështjet e pronës”.
“Jemi të bindur që jo vetëm çuarja përpara dhe legalizmi i procesit ka rëndësi të veçantë edhe për ekonominë kombëtare. Sepse praktikish ju e dini se për të ndërtuar ato shtëpi keni shpenzuar çdo kursim. Ajo është një pasuri, e cila nëse nuk hipotekohet nuk ka asnjë vlerë. Por nëse hipotekohet kthehet në një pasuri të patundshme, por edhe është një mundësi për të marrë kredi për të hapur një bzines për të mbështetur studimet e një fëmije, për të blerë makineri për prodhim dhe kështu me radhë”, tha kryeministri Rama.
Kemi besim, theksoi Rama, “se procesi i legalizmit do të jetë paralelisht nga njëra anë një proces drejtësie sociale për një numër të madh familjesh shqiptare, por edhe një burim i madh rritjeje për ekonominë tonë kombëtare. Pra interesi është dhe privat për secilin prej jush, por edhe interes kombëtar”.
Ndërsa kreu i ALUIZNI-T, Artan Lame, tha se drejtoria e këtij qarku ka qenë drejtoria që ka lënë trashëgimi problemet më të mëdha nga qeverisja e shkuar e së djathtës, me dokumente të humbura, të lëna pas dore, me leje të dhëna me probleme që kanë futur në sherr qytetarët e Vlorës.
Ndër të tjera Lame tha se, “kanë kaluar mbi një vit dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, pasi ky qark në fushën e legalizimeve ka shumë probleme, pasi ndërtimet pa leje sollën probleme që u mbartën për shumë vite rresht pa u zgjidhur. Duhet të themi që ato legalizime që janë bërë në Vlorë gjatë viteve të qeverisjes së shkuar më shumë na kanë krijuar probleme, probleme të cilat ju i ndiqni në media dhe këto ditët e fundit, me procese gjyqësore të hapura, me komshi që zihen me njëri-tjetrin për shkak të abuzimit që është bërë me dhënien e lejeve. Pra edhe ato pak legalizime u kthyen në shumicën e rasteve në sherr mes qytetarëve dhe jo në zgjidhje të halleve të tyre.
“Zoti kryeministër duhet të pranojmë se në krahasim me shumë qytete të tjera, ku po punohet në procesin e legalizimeve, në Vlorë kemi pasur disa pika të dobëta. Është e padiskutueshme që thelbi i tyre qëndron në situatën e trashëguar, pasi në Vlorë gati nuk u gjet fare drejtori , gjithë sistemi i arkivës ishte inekzistent, ishte si në një gjendje lufte kur u mor në drejtim drejtoria e Vlorës, por tashmë kjo fazë është tejkaluar, edhe ngërçi me zyrën e regjistrimit të pasurive është tejkaluar”, tha Lame.
“Në vijimësi vazhdon dhënia e lejeve të legalizimit në Vlorë, por sot kemi një grup që prek një zonë me objekte banimi që presin prej shumë e shumë vitesh sepse e tillë ishte situata, pasi dhe ato leje legalizimesh të dhëna u bënë në kurriz të braktisjes së dokumentacionit për të gjithë pjesën tjetër që duhej të ndiqej puna”, theksoi Lame.