Rama shpërndan 150 certifikata pronësie në Novoselë

Nis procesi i dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën në fshat, nje proces qe i jep zgjidhje përfundimtare problemit 25 vjeçar të pronësisë mbi tokën bujqësore. 150 certifikatat e para të pronësisë mbi tokën u shpërndanë në Novoselë. Kryeministri Edi Rama tha se po ndryshon rrenjesisht situata katastrofike e trasheguar e hipotekes, ndersa drejtoi edhe një apel për të gjithë ata që jetojnë me tokën në fshat.

Thirrja ime dhe thirrja jonë është që të gjithë kryetarët e familjeve në fshat që zotërojnë një tokë, por që nuk e kanë me certifikatën e titullit definitiv të pronësisë, t’i drejtohen bashkive, njësive administrative, për ta çuar përpara me shpejtësi këtë proces, që është një zotim i yni, por njëkohësisht edhe një domosdoshmëri e madhe historike për të kaluar nga një fazë tjetër. Në fazën e kalimit nga bujqësia e mbijetesës dhe lëmoshës tek një bujqësi e zhvilluar, tek një zhvillim rural i qëndrueshëm.”

Advertisement

Certifikata e pronësisë për tokën bujqësore do të jenë falas dhe për këtë do të ndiqet modeli i legalizimit të shtëpive në zonat informale.

Një mesazh, të gjithë fermerëve, të gjitha familjeve që jetojnë prej vitesh me tokën, por që edhe pse e kanë punuar atë, ende nuk e kanë marrë në zotërim, se ka ardhur momenti i tyre për të marrë një shërbim plotësisht falas nga ana shtetit, përmes një bashkëpunimi tanimë të ndërtuar plotësisht mes bashkive, njësive administrative dhe hipotekës. Atë që po bëjmë me sukses për legalizimet, do ta bëjmë me po kaq sukses, edhe për tokën bujqësore, pra, certifikatat e pronësisë për tokën bujqësore falas. Përveç burokracisë, problem tjetër ka qenë tarifa e papërballueshme për të përgatitur dokumentacionin, nga ana e kryetarëve të familjeve në fshat. Kjo i ka penguar që t’i hyjnë kësaj rruge, prandaj ne e morëm tërësisht përsipër këtë kosto,” – shpjegoi Kryeministri.

Mjafton që familja, kryetari i familjes të paraqitet në bashkinë përkatëse, përmes njësive administrative dhe të depozitojë kërkesën, aktin e marrjes së tokës në pronësi dhe certifikatën familjare.”

Marrja e titullit të pronësisë është një proces jetik, qe krijon kornizën ligjore për të zhvilluar pronën, për ta shitur tokën në pronësi, për ta dhënë me qira, apo trashëguar. Gjithashtu titulli i pronësisë do t’i mundësojë fermerit për të përfituar nga programet e ndihmës shtetërore në bujqësi, apo për të hyrë në një marrëdhënie të re me bankat për kreditimin e aktivitetit të tyre. Sikundër, të ardhurat e përfituara nga kalimi i të drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar tek një fermer tjetër janë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Nderkaq në Novoselë kanë përfunduar rreth 80% të punimeve për rehabilitimin e argjinaturës që do të mbrojë nga përmbytja dhe erozioni rreth 5 mijë hektarë tokë. Zona e Novoselës ka qenë klasifikuar si një zonë e rrezikuar nga përmbytjet edhe atëherë kur kishte reshje shiu me intensitet mesatar, për shkak edhe të investimeve të munguara prej vitesh, duke kërcënuar seriozisht jetën e njerëzve, si dhe duke dëmtuar rëndë prodhimet bujqësore e blegtorale.

Gjatë vizitës në qarkun e Vlorës, Kryeministri Edi Rama inspektoi ecurinë e punimeve për rehabilitimin e kësaj argjinature. Një investim që do t’i shërbejë 12 mijë fermerëve të zonës.

Pas përmbytjeve të shkurtit të këtij viti, në bashkëpunim me donatorë u ndërmorën projekte rehabilitimi dhe ndërtimi të infrastrukturës mbrojtëse, qe do të garantojnë për një periudhë afatgjatë sigurinë e zonave përreth, jo vetëm për të parandaluar përmbytjet, por edhe për të mirëmenaxhuar burimet hidrike në dobi të zhvillimit ekonomik dhe bujqësisë.