“Me një mbështetje prej afro 1 milion dollarësh, qeveria ka miratuar projektin e paraqitur nga bashkia e Shijakut që do t’i japë një pamje krejt të re sheshit kryesor, por edhe një energji të re të gjithë kësaj zone”, deklaroi Kryeministri Edi Rama teksa shpërndau 1001 leje legalizimi falas për banorët e Shijakut.
Në ceremoninë e organizuar në sheshin kryesor të qyetit të Shijakut, Kryeministri Rama theksoi se sot në Shijak i japim një shtytje të madhe një procesi të nisur prej shumë vitesh, por siç e dini të gjithë ju edhe këtu në Shijak si kudo i mbetur rrugëve procesi i legalizimit të shtëpive të ndërtuara në zonat informale, të cilat prej shumë vitesh presin të kthehen në pasuri të patundshme, pasi të gjithë i kanë ndërtuar me shumë mund e sakrifica.
“Para pak ditësh qeveria ka miratuar projektin e paraqitur nga bashkia e Shijakut, që është edhe sheshi i bashkisë së re që përmbledh Shijakun që njohim si bashki, por edhe një sërë komunash e territoresh rreth e rrotull. Është një projekt mjaft i mirë që do t’i japë një pamje krejt të re sheshit kryesor, por edhe një energji të re të gjithë kësaj zone, pasi do të jetë një shesh i parametrave europianë dhe me një mbështetje prej afro 1 milion dollarësh nga qeveria, mbështetje që Shijaku nuk e ka pasur kur ka pasur në qeveri, e keni parasysh vetë se e keni mbajt vetë për burrë të zotin e për kryeministër gjithë ato vite”, nënvizoi Rama.
Besoj, shtoi Kryeministri, nuk e bëmë pa qëllim këtë takim këtu që të kaloja edhe unë tek kjo rruga e tmerrshme e katër shkollave, ndërkohë që projektin kryetari i bashkisë na i ka vënë në tavolinë dhe këtë projekt njësoj si dhe sheshin e Shijakut ne do ta financojmë brenda këtij viti në mënyrë që fëmijët tuaj të kalojnë në një rrugë normale dhe jo në këto rrugë me shtigje e gropa, që ju ka lënë Saliu gjithë këto vjet.
“Ne kemi hapur një zyrë të posaçme për Shijakun duke pasur parasysh që në këtë territor ka një numër të konsiderueshëm banorësh të zonave të Sukthit Manzës, komunës Rrashbull, Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepal edhe vetë bashkisë së Shijakut e kishin shumë të vështirë të shpërbeheshin nga drejtoria rajonale në qytetin e Durrësit. Zyra e Shijakut ka filluar punën në 21 nëntor të vitit të kaluar dhe sot duhet të trajtojë 13 mijë e 200 vetëdeklarime”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “në gjithë këto vite nga mijëra e mijëra kërkesa qeveria e kaluar ka legalizuar vetëm 143 legalizime nga të cilat 95 përqind janë hotele ose restorante ndërtesa që nuk nuk duhet të legalizoheshin fare, por janë legalizuar se ishin ndërtesa biznesi, ndërsa mijëra familje që kanë ndërtuar thejshtë shtëpitë e tyre janë lënë rrugëve edhe pse kanë paguar paratë për legalizimin jo vetëm njëherë e dy por edhe tre herë”.
“Qeveria e kaluar, për Shijakun dhe për gjithë zonën ka legalizuar vetëm 1 perqind të kërkesave ndërkohë sot me punën e bërë nga 21 nëntori kur është hapur zyra e deri dje, ne do të dorëzojmë 1001 leje legalizimi që janë 10 herë më shumë se ç’ka bërë PD në gjithë karrierën e vet në qeverisje”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “do të vazhdojmë intensivisht me legalizimet falas”.