Rama: Reformat po japin rezultat

Nga Elbasani, ku u ndal turi i radhës i Partisë Socialiste, “Ta pastrojmë më tej Shqipërinë”, kryeministri Edi Rama ritheksoi qëndrimin e shprehur më herët se kjo forcë politike nuk duhet të shihet si një trampolinë për të fituar një post të pamerituar pune në shtet.

Ai tha se reformat e ndërmarra nga qeveria kanë nisur të japin efektet e para pozitive dhe se nga suksesi i tyre varet mënyra e qeverisjes së brezave të ardhshëm. Për të ilustruar këtë, kryeministri solli i shembull reformën në energjitikë. ‘Nëse nuk do kishim ndërmarrë këtë reformë, tha ai, sot do të kishim një gropë 200 mln euroshe në buxhet’.

Advertisement

“Çfarë bëjmë ne sot do të përcaktojë shumë fatin e mënyrës së qeverisjes në të ardhmen në këtë vend. Kjo është arsyeja se përse kjo fazë e Partisë Socialiste është një fazë që ka rëndësi të madhe jo vetëm për ne, jo se ne duam të bëjmë një riorganizim, por ka të bëjë me profilin e kësaj partie dhe fatin e qeverisjes në dy vitet e ardhshme dhe çfarë do të vijë në 10-20 vitet e ardhshme”, tha Rama.

Si kryetar, Rama u kërkoi strukturave të partisë që të hapin dyert për anëtarësime të reja dhe t’u shpjegojnë qytetarëve rëndësinë e reformave.