Rama: Reforma o do votohet, o do votohet!

Një ditë para seancës ku pritet të diskutohet për reformën në drejtësi, kryeministri i vendit, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se votimi është e vetmja alternativë.
Shefi i qeverisë shqiptare gjithashtu shkroi se ky vend është i popullit dhe se populli i përket Europës.
“Reforma o do votohet, o do votohet! Historia nuk ndalet dot me manovra ne xunkth, thirrja e saj shemb çdo mur shurdhërie. Ky vend është i popullit dhe ky popull i përket Europës!”, shkroi Rama në “Facebook”.
Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri u tregua i hapur për të negociuar deri të enjten, por pa hequr dorë nga plani me 94 vota, të cilat arrihen vetëm nëse votojnë deputetët e opozitës.
“Thirrja ime për ndërgjegjen e çdo deputeti opozitar nuk është as blerje dhe as dhunim i konsensusit, por detyra ime si Kryeministër, që nuk mund të mos lërë gur pa lëvizur nga muri shurdh i Partisë Demokratike, jo për hesapin aritmetik të qeverisë që unë drejtoj, por për llogarinë morale të vendit që unë qeveris”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Advertisement