Rama: Raport të hollësishëm të dëmeve, krenar për punën e emergjencave civile

Kryeministri Rama ishte në Novoselë, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet.

Në një takim informues mbi situatën me ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Prefekten e Vlorës, kryetarin e komunës Novoselë, deputetët e qarkut të Vlorës, të cilët janë vendosur që në momentet e para në zonat e përmbytura në mbështetje të shtabeve të emergjencës u raportua se të gjitha strukturat e shtetit kanë një mobilizim maksimal dhe se për momentin ka rënie të ujërave, çka lehtëson operacionet e emergjencës.
Mobilizimi maksimal i të gjithë strukturave të shtetit, edhe pse një situatë e jashtëzakonshme, theksoi Kryeministri, bëri që të evitohen humbjet në jetë njerëzore. Kryeministri apeloi banorët të bashkëpunojnë dhe të evakuohen kur këto struktura ia kërkojnë. Ndërsa njoftoi se do të bëhet një raport i hollësishëm i të gjitha dëmeve.Vlore, lumi Vjose, permbytje Foto Harilla Koci (1)
Sipas Ramës dëmet do të raportohen me hollësi.
“Do të bëhet një raport i hollësishëm i të gjitha dëmeve. Ndërkohë kemi filluar të komunikojmë edhe me partnerët ndërkombëtarë. Sot paradite kemi qenë në komunikim më Brukselin, për të vlerësuar mundësinë e një mbështetjeje në këtë aspekt”, theksoi Kryeministri Rama.
Kryeministri Rama tha se kjo gjëndje vjen si pasoje e shfrytëzimit të mjedisit pa kriter.
Pas Novoselës, Kryeministri Rama inspektoi edhe një nga zonat e prekura rëndë nga përmbytjet në Fier, komunën e Levanit, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, deputetët e Fierit, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Prefekti i Fierit.
Kryeministri Rama theksoi se prioritet është shpëtimi i çdo jete njerëzore. Ndërkohë që do të bëhet edhe identifikimi, inventarizimi i dëmeve si pasojë e përmbytjeve, të cilat do të kompensohen.
“Sigurisht që faza kritike ka qenë e lidhur në mënyrë ngushtësisht intensive me shpëtimin e çdo njeriu dhe familjeje në rrezik dhe me gjithë ndihmën e mundshme për të shpëtuar bagëtitë. Tani, duke qenë tërësisht të përgatitur edhe për një prurje të dytë të fortë reshjesh siç parashikohet, mbase nuk do të jetë rasti, por sidoqoftë ky është parashikimi dhe ne jemi tërësisht të përgatitur për këtë”, tha ai.
Sa i takon kompensimeve Rama shpjegoi dhe rrugën që do të ndiqet nga pushteti lokal dhe vendor. “Do të fillojmë paralelisht me fazën që ka të bëjë me identifikimin, inventarizimin e të gjitha problemeve dhe dëmeve që kanë ardhur si pasojë dhe duke e trajtuar situatën si situatë fatkeqësie natyrore, do të adresojmë pastaj, problemet me shumë vendosmëri, në mënyrë që humbjet e mëdha sidomos të fermerëve, që siç e tha edhe prefekti kanë pasuar dëme në investimet e tyre, të kompensohen. Ky është objektivi që pason menjëherë atë të parin dhe më themelorin, për të mbrojtur çdo njeri, çdo familje dhe mundësisht për të shpëtuar të gjitha bagëtitë e rrezikuara, në ndërkohë që me patjetër nuk do të lëmë pas dore, edhe dëmet e jashtëzakonshme që i janë shkaktuara fermerëve të kësaj zone.”, përfundoi Kryeministri, Edi Rama.

Advertisement