Rama: Policia e Shtetit, e para në listën e institucioneve për nga besueshmëria

Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën se falë reformës së ndërmarrë nga kjo qeveri kemi arritur t’i kthejmë dinjitetin Policisë së Shtetit, që siç u shpreh ai, deri para pak vitesh renditej ndër tre institucionet më të korruptuara e të pabesueshme ndërsa Departamenti i Shtetit e vendoste në listën e zezë për trafikimin e qenieve njerëzore.

Sot, tha ai, Policia e Shtetit renditet e para në listën e institucioneve për nga besueshmëria.

Advertisement

Gjatë aktivitetit “Policia e Gjeneratës së Re”, ku u zhvillua procesi i aplikimit për Akademinë e Policisë në Pallatin e Kongreseve, Rama tha se ne duam që Policia e Shtetit shqiptar të jetë me standarde, integritet dhe profesionalizëm si çdo polici e Bashkimit Evropian.

“Ne do ta bëjmë policinë si çdo polici në BE. Synojmë që Policia e Shtetit tonë të jetë një trupë e shkëlqyer dhe e dalluar dhe ne do ta bëjmë Policinë e Shtetit tonë të dalluar në rajon dhe në mesataren e trupave policore të BE-së”, deklaroi Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë informoi se është bërë një punë e madhe edhe sa i takon trajnimeve të trupave të policisë, ndërsa shtoi se niveli i arsimit të lartë është rritur nga 20 % që ishte në 2013-ën në 33 % në 2016.
Më tej, ai theksoi se kemi gjetur Policinë e Shtetit që vishte uniformat e degradimit të shtetit tonë, uniformë e braktisur e rrënuar nga politika e korrupsioni, nga varfëria në mjete, teknologji e financë.

“Punonjës policie i pa trajtuar, pa arsim, pa ekspertë. Dhe sot nuk është se kemi bërë ndonjë çudi, por kemi një Polici të Shtetit të trajtuar me respekt, mirë financiarisht në raport me të tërën, dhe padyshim të trajtuar me vëmendje maksimale duke iu krijuar kushte duke i trajnuar e rritur profesionalisht”, deklaroi kreu i qeverisë.

Duke folur për krimin, shefi i qeverisë tha se krimi jo rrallë herë ka vënë në lëvizje e intensifikon prodhimin e baltës për të goditur ministrin e Policinë e Shtetit. Për këtë, ai solli në vëmendje Lazaratin, që siç tha ai “ishte aty për vite të tëra, një oaz që kishte vendosur sulltanitetin e vet e askush nuk mendonte që në të gjallët e vet ai oaz do të zhdukej”. Por, ai ishte shumë më teprë se sa ai bari magjik, shtoi Rama.

Sipas tij, Lazarati ishte një ‘bankë’ e parasë së zezë që qarkullonte miliarda.  Kjo, vijoi ai, është domethënia më e madhe e suksesit të punës në Policinë e Shtetit. “Pa reformën në Policinë e Shtetit, Shqipëria nuk do të kishte marrë statusin, afirmimin në Bruksel se ne mund të bëjmë shtet dhe sigurisht hapat e parë të besimit i forcoi puna e bërë nga ministria e Brendshme e Policia e Shtetit”, tha Rama.

Më tej, Rama u ndal edhe në efektivitetin që ka ardhur pas vendosjes së komisariatit ‘dixhital”, praktikë kjo që siç tha ai po kërkohet të vendoset edhe nga shtete të tjera më të zhvilluara.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri hodhi akuza të ashpra mbi sistemin e drejtësisë, pasi sipas tij, shpesh Policia e Shtetit përballet jo vetëm me krimin e rrugës, por edhe me atë pas çekiçit.

“Ka edhe punonjës që ndjehen të dekurajuar, pasi kriminelët që ata kapin në rrugë dalin përsëri nga burgu, brenda fare pak kohësh e nuk mbajnë përgjegjësi. Drejtësia e pabarabartë është më keq se sa të mos kesh drejtësi hiç”, deklaroi Tahiri.

Kreu i ministrisë së Brendshme solli në vëmendje rastin e Vlorës, të bërë publik e të denoncuar të tij, ku një person i arrestuar me armë pa leje u lirua nga Gjykata e Vlorës. Tahiri apeloi edhe Unionin e Gjyqtarëve që të mos bëhet palë me gjykatës të korruptuar.

Ministri Tahiri tha se këtë herë janë rreth 5 mijë aplikantë për 300 vende, ndërsa theksoi se sot Policia e Shtetit ka nevojë për njerëz të aftë.

Duke vlerësuar rolin e Policisë së Shtetit theksoi se ne hapëm universitetin e sigurisë sepse ne besojmë se për të luftuar krimin duhet me shumë mendje se muskuj, më shumë ide se sa forcë.

“Për të shërbyer në Policinë e Shtetit ka konkurs ku fiton më i miri. Të shërbesh në Policinë e Shtetit nuk është punë si gjithë të tjerat. Duhet të punojmë për të luftuar të korruptuarit dhe për të promovuar të aftët”, u shpreh Tahiri.

Sot është dita e parë e konkurrimit të aplikantëve për të ndjekur studimet për shkollën Bazë të Policisë, për Patrullë të Përgjithshme.

Numri i aplikantëve që plotësuan kriteret për të ndjekur fazat e mëtejshme të konkurrimit është 5012, nga këta 4536 meshkuj dhe 476 femra.
Mosha mesatare e tyre është 23.9 vjeç dhe rreth 800 prej tyre janë me arsim të lartë.

Faza e parë e konkurimit, testimi me shkrim zhvillohet në datat 15 Mars, 16 Mars, 17 Mars dhe zë 70 % të pikëve.

Më pas konkurrentët do t’u nënshtrohen fazave të tjera, që janë
testimi i aftësive fizike – 20 %, intervista me gojë – 5 %, testimi psikologjik – 5 %.  

Në përfundim të gjithë procesit do të përzgjidhen 300 kandidatë fitues, nga të cilët 90 femra dhe 6 vende janë minoritetet.

Kur nuk plotësohet kuota e përcaktuar për gjininë më pak të përfaqësuar dhe minoritetet, do të merren në rend zbritës aplikantët, të cilët përfaqësojnë po këto kategori, por që duhet të kenë arritur minimumin e pikëve për t’u shpallur fitues.