Rama përuron pavijonin e Hemodializës në Shkodër

Shërbimi i Hemodializës ofrohet tashmë dhe në Shkodër. Qendra e dytë e re e Hemodializës në Shkodër hapet pas asaj të Vlorës, për të vijuar edhe në qytete të tjera, duke lehtësuar për qytetarët barrën e shpenzimeve dhe duke kursyer kohën e udhëtimit dhe mundimin për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Qendra e re e hemodializës, investim i partneritetit publik privat, me vlerë fillestare prej 900 mijë dollarësh ofron një shërbim bashkëkohor, me aparatura dhe teknologji moderne, me kapacitet të zgjeruar, e gatshme për të pritur pacientët, numri i të cilëve është në rritje, pasi tendenca e kësaj sëmundshmërie është e tillë në këtë qytet. Në qendër janë instaluar 17 + 3 poste trajtimi (dy poste në salla të veçanta për pacientët me Hepatit C dhe HIV), për të kryer trajtimin e pacientëve vetëm në 2 turne.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vizitoi sot Qendrën dhe u takua me stafin mjekësor e pacientët që po merrnin shërbimin aty.
Për ministrin e Shëndetësisë Beqaj, veç përfitimeve që sjell qendra për pacientët, ajo është gjithashtu një inkurajim për mjeket dhe infermierët, për të dhënë maksimumin në punën e tyre. “Ne vazhdojmë zbatimin e kontratës së partneritetit. Pas Vlorës, kjo është njësia e dytë. Praktikisht në një kohë shumë të shkurtër arritëm të rinovojmë teknologjinë, të dyfishojmë kapacitetet. Pajisje të reja, shërbim shumë më të mirë, shumë më cilësor.”
Kryeministri theksoi se shumë shpejt problemi i ecejakeve dhe sorollatjeve të qytetarëve nga një spital në tjetrin do të marrë zgjidhje në të gjithë Shqipërinë. Kjo falë hapjes së qendrave të reja në qytete të tjera.
“Problemi i gjithë këtyre njerëzve që janë torturuar për gjithë këto vite, janë zvarritur me tre turne, që janë detyruar të lëvizin drejt qyteteve të tjera për të marrë këtë shërbim tre herë në javë, – do zgjidhet në rang Shqipërie. Kjo është e dyta, do vazhdojmë me Korçën, me Lezhën, me Elbasanin. Është rezultati i partneritetit publik privat.  I asaj fjalës që u bë si shfaqje e huaj, koncension, por në fakt është një partneritet publik privat, sepse një investim të tillë në gjithë territorin e Shqipërisë, në një kohë kaq të shkurtër shteti nuk e bënte dot. Atëherë bashkëpunimi me privatin sjell që investimi të bëhet menjëherë dhe që personeli shtetëror të ketë në dispozicion të gjithë infrastrukturën dhe jo vetëm, por edhe materialet që duhen, edhe mirëmbajtjen e aparaturave edhe riparimin e aparaturave. Pra, personeli i spitalit ka vetëm një problem, si të trajtojë sa më mirë pacientët.”

Advertisement