Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën kombëtare “Profesionet më të kërkuara në tregun e punës”, deklaroi se vonesa mbi 20 vjeçare e investimit në arsimin profesional, ka rezultuar të jetë një ndër tre pengesat kryesore që investitorët e huaj të jenë të pranishëm në vendin tonë.
Bazuar në të dhënat e një anketimi që një grup kompanish të huaja ka zhvilluar në vendin tonë, Rama tha se “pengesë kryesore për të investuar në Shqipëri nuk është sistemi fiskal, por sistemi i drejtësisë, krahu i punës i pakualifikuar dhe titujt e pronësisë”. Prandaj tha ai, përpjekjet dy vjeçare janë të orientuara qartazi në këto tre drejtime, në mënyrë që të rritet prania e investimeve të huaja në vend.
Duke konkretizuar përpjekjet e qeverisë së tij, Rama deklaroi se po krijohen mundësitë alternative për të gjithë ata të rinjë që nuk ndjekin universitetin, duke çelur një korsi zanatesh.
Ai u shpreh i vetëdijshëm se qeveria ka shumë për të punuar në këtë drejtim, pasi, në një kohë kur vendi ynë ka numrin më të madh të juristëve për metër katror në planet, tregut të punës i mungojnë profesionistë si elektriçist, hidraulik, marangoz etj…
Marrjen e modelit gjerman si pikë referimi për ngritjen e një sistemi të mirëfilltë të arsimit porfesional në Shqipëri, Rama e cilësoi si një sfidë shumë të madhe, por siç tha ai, vetëm një vit pas fillimit të këtij procesi reformues, të dhënat e para janë mjaft inkurajuese.
“Vetëm në një është dyfishuar numri i djemve dhe vajzave të regjistruara në shkollat profesionale dhe në bazë të statistikave ata që kanë mbaruar një shkollë profesionale, janë njësoj të kërkuar në tregun e punës si ata që kanë mbaruar një universitet”, vuri në dukje kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë.