Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se Partia Demokratike nuk ka vizion, program dhe as lidership.
Duke reaguar ndaj protestës së thirrur nga Partia Demokratike për parkun e lojërave te liqeni artificial, Rama u shpreh se kjo është arsyeja pse “PD merret me parkun e lodrave për kalamaj”.
“Vizion jo. Program jo. Ekip as bëhet llaf. Lider jo e jo. Shyqyr u gjet një park lodrash për kalamaj që të shfrysh inatin me qeverinë”, shkruan Kryeministri në rrjetin social “Facebook”.
Më herët, Partia Demokratike e konsideroi projektin për parkun, një tradhti ndaj qytetarëve dhe një shkelje e gjithanshme të ligjit. Sipas deputetit të PD-së, Gerti Bogdani “për këtë projekt Veliaj nuk ka bërë asnjë konsultim publik ashtu si e parashikon ligji, nuk ka një projekt përfundimtar por një projekt që ndryshon sipas rastit, kundër çdo parimi ligjor, si dhe nuk ka leje mjedisore e as studim mjedisor”.
Bogdani ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës në orën 11:00, për të mbrojtur mushkërinë e qytetit dhe pasurinë e banorëve të Tiranës.