Kryeministri Edi Rama ishte përsëri në zonat e përmbytura, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në ditët e fundit dhe daljes nga shtrati të lumenjve.
I shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Kryeministri ishte në Urën Vajgurore, në qarkun e Beratit, zonë e cila pati përmbytje për shkak të prurjeve masive të lumenjve Osum dhe Devoll. Kryeministri u njoh në terren me situatën dhe takua me drejtues lokalë dhe drejtues të operacioneve të emergjencës civile dhe me banorë të shtëpive të përmbytura.
Prefekti i Beratit Selfo Kapllani informoi se aktualisht, situata paraqitet e normalizuar, por të gjitha strukturat e emergjencës civile vazhdojnë të jenë në gatishmëri jo vetëm në pikat e rrezikuara si Ura Vajgurore, por edhe në komuna, veçanërisht në Poshnje dhe Perondi. Ai nënvizoi se prioritet ishte shpëtimi i njerëzve dhe u bë evakuimi i menjëhershëm i 65 familjeve të rrezikuara. Po ashtu, u mbajtën nën kontroll hidrovoret dhe akset rrugore.
“Pjesa hidrovore ka funksionuar normalisht, është mbajtur në kontroll dhe është furnizuar në mënyrë ritmike me energji elektrike. Janë mbajtur nën kontroll akset rrugore, në një pjesë të mirë të të cilave ka pasur shkarje të dherave, sidomos në aksin Berat-Skrapar. Firmat e mirëmbajtjes së rrugëve kanë qenë në gatishmëri dhe në të pesta pikat e bllokimit në aksin Berat –Skrapar, rruga shumë shpejt u normalizua.”
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi bëri një përshkrim të detajuar të situatës. Sipas tij, edhe në qarkun e Beratit, reagimi ka qenë i shpejtë dhe sot, me normalizimin e gjendjes, strukturat e emergjencës kanë nisur edhe pastrimin e banesave.
“Që në datën 28 kemi informuar mbi situatën që pritej të vinte në të gjithë Shqipërinë, por kryesisht në Shqipërinë e jugut, rajonet Gjirokastër, Fier, Berat, Vlorë dhe Elbasan. Dua të them se në Berat, situata ka qenë më e qetë, pavarësisht prurjeve të lumenjve Devoll dhe intensiteti i dy lumenjve ka qenë i madh, në një kohë shumë të shkurtër, gjë që nuk ka ndodhur prej vitesh dhe ka sjellë këtë nivel të ujërave dhe këtë vërshim. Gjithsesi, strukturat e emergjencave civile në të gjithë rajonin e qarkut të Beratit, me në krye Prefektin, Batalioni i Reagimit të Shpejtë dhe shërbimet e policisë dhe të emergjencave civile kanë dhënë kontributin maksimal në njësinë rekord të kohës, duke evakuuar 65 familje në Urën Vajgurore. Prezenca e ujit ka qenë edhe në komunën Otllak, edhe në komunën Poshnje, por reagimi ka qenë shumë i shpejtë. Më vjen mirë që sot, të gjitha strukturat janë duke bërë pastrimin për herë të parë të banesave private me shërbimet zjarrfikëse, që nuk është bërë asnjëherë në fatkeqësi të tilla. Do të thotë që emergjencat kanë ndërhyrë në të gjitha proceset, që nga parandalimi i emergjencës ekstreme, dhënia e ndihmave ushqimore dhe mjeteve më të domosdoshme për të jetuar, si dhe pastrimi i shtëpive nga strukturat shtetërore. Kjo është një risi në reagimin e strukturave shtetërore në rast emergjence.”
Kryeministri Rama kërkoi ruajtjen e nivelit të lartë të gatishmërisë, pasi pavarësisht qetësimit të situatës, parashikohet një përkeqësim tjetër i kushteve meteorologjike. Kryeministri ripërsëriti apelin për banorët, që t’i përgjigjen thirrjes së autoriteteve për evakuim, në rast se strukturat e emergjencës civile do ta vlerësojnë të nevojshme.
“Ne jemi krenarë që kemi vënë në provë, me sukses, të gjitha strukturat dhe të gjitha strukturat i janë përgjigjur në kohë detyrave të tyre. Ndërkohë që sot është dita për të përsëritur se sipas parashikimeve pritet një shfrim i dytë i tërbuar i motit. Ndaj ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat e emergjencave civile, me Policinë e Shtetit, me të gjithë të përfshirët në këtë proces, në mënyrë që të mos kemi asnjë ngurrim për të evakuuar në rast paralajmërimi dhe të mund të vazhdojmë ta përballojmë dhe ta përmbyllim këtë situatë dramatike, kështu siç kemi ecur deri tani.”
Kryeministri e cilësoi situatën një faturë e natyrës, për mënyrën si jemi sjellë me mjedisin në këto dy dekada. Ndërsa nënvizoi se pasojat e përmbytjeve do të ishin shumë më të mëdha, nëse gjatë kësaj periudhe nuk do të ishin zhbllokuar kanalet e kullimit, në një masë të atillë sa ç’janë hapur në 20 vjet.
“Është shkatërruar gjithë sistemi. Nuk ka sistem mbrojtës se të tërë janë futur të hanë lumë, të hanë pyje, të hanë gurë, të hanë ç’të munden për sot, pa menduar për nesër që vjen fatura dhe natyra nuk pyet. Ne duhet ta vëmë në kontroll gjithë situatën dhe pastaj, hap pas hapi të marrim masat siç i kemi marrë. Në qoftë se ne nuk do të kishim hapur më shumë kanale sa ç’janë hapur në 20 vjet, pra, zhbllokuar, ne sot do të kishim një përmbytje shumë më të gjerë,” tha Kryeministri duke përsëritur se “sigurisht kemi shumë për të bërë.”
Pasi të përfundojë përballimi i situatës emergjente, në Urën Vajgurore do të fillojë një investim i rëndësishëm, i barabartë me çka është investuar në 20 vjet së bashku, bëri të ditur Kryeministri.