Rama, në Vlorë: Dritan Leli do ta çojë bashkinë e re në drejtimin e duhur

Kryeministri Edi Rama u ndal në Vlorë të dielën, gjatë orëve të mbrëmjes. Në përmbyllje të fushatës në këtë qytet, ai u bëri thirrje qytetarëve vlonjatë të votojnë për kandidatin e mazhorancës, Dritan Leli, pasi “ai është drejtimi i duhur”.
“Ju falenderoj për mikpritjen kaq entuziaste dhe mbështetjen që i jepni njeriut të duhur në kohën e duhur dhe vendin e duhur. Për ta çuar Vlorën në drejtimin e duhur, votoni Dritan Lelin”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se në 18 muaj është bërë një punë e madhe, e cila ka nisur thuajse në çdo sektor.
“Mendoj çdo ditë e natë t’u kthej mbështetjen qytetarëve të Vlorës. Megjithatë në 18 muaj ne kemi punuar që t’ua kthejmë qeverisjen qytetarëve. Por është e vështirë që në kaq pak kohë të mbyllnim të gjitha hallet dhe plagët e hapura në të kaluarën. Mund të kishin bërë shumë më shumë, por gjetëm një mal borxhesh të ngritura nga një qeveri që ju e larguat më 23 qershor të 2013-s. Kemi shlyer një pjesë të mirë të borxheve. Nëse do t’i kishim ato para, do të kishim bërë shumë më shumë”, tha Rama.
Megjithatë, ai shtoi se kthesa ka filluar në të gjitha fushat e jetës dhe premtoi se zhvillimi i nisur do të vazhdojë me të njëjtin intensitet.
Ndërkohë, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Dritan Leli, tha se askush nuk do të guxojë t’i trajtojë pa respekt qytetarët në administratën e re të bashkisë.
“Vota juaj është ndihma për projekte të mëdha. Vetëm kështu do t’i japim Vlorës drejtimin e duhur”, tha Leli.

Advertisement