Rama: në vjeshtë do të kemi plotësuar 5 prioritetet

Dialogu i Nivelit të Lartë Shqipëri-BE ka shërbyer si një moment i rëndësishëm për konfirmimin e angazhimit të dyanshëm lidhur me perspektivën europiane të Shqipërisë.Në konferencën për shtyp pas Dialogut, Kryeministri Edi Rama tha se qeveria nga ana e saj ka konfirmuar vullnetin e palëkundur në thellimin e reformave shtetndërtuese duke vënë theks të veçantë tek reforma në drejtësi.

“Ne jemi shumë besimplotë që procesi i reformës në drejtësi është cilësor dhe i shpejtë. Sikundër, jemi besimplotë se në vjeshtë, ne do t’i japim Komisionit në dorë gjithçka të plotësuar, lidhur me të 5 prioritetet, nëse i referohemi detyrave të shkruara. Për këtë, unë i kërkova Komisionerit që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, të mos kemi shtesa kati rrugës, por brenda kornizës së miratuar bashkërisht, Shqipëria të japë rezultatet një më një, sipas detyrave të përcaktuara”, theksoi Rama.

Advertisement

Ndërkaq edhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, është fokusuar në realizimin e reformave por edhe në vazhdimësinë e dialogut pozitë-opozitë.

“Reforma në drejtësi duhet të jetë efikase dhe gjithëpërfshirëse. Dialogu, do të thosha, është fryt i të ecurit përpara, sepse pa dialog nuk mund të ecet përpara. Në këtë këndvështrim jam i lumtur që kam parë dialog, si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca, dhe duket se të gjithë janë të angazhuar drejt procesit të integrimit. Ne po flasim për një proces, që do të thotë një përafrim i vendit me standardet e BE. Prandaj është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë reformën në drejtësi. Ne si BE jemi të vendosur për të mbështetur Shqipërinë, që të ecë përpara sa më shpejt të jetë e mundur, por çështja nuk është shpejtësia, por cilësia”, tha Hahn.

Më herët Kryeministri Edi Rama priti në takim Komisionerin e BE-së për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn që ndodhet në Tiranë në kuadër të takimit të radhës së “Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE”.