“Aleanca për Shqipërinë Europiane ka një vizion të qartë për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, deklaroi të martën Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke shtuar se, “zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë politike, por janë investim për cilësinë e jetës”.
Aleanca për Shqipërinë Europiane prezantoi sot gjatë një takimi me banorët e Rrëshenit, kandidatin për kryetar Bashkie në Mirditë, Ndrec Dedaj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama nënvizoi partneritetin strategjik mes dy partive, PS dhe LSI, që sipas tij, në fakt janë një forcë e madhe udhëheqëse e transformimit të vendit.
Ndryshe nga kundërshtarët tanë, tha ai, ne kemi një vizion të qartë për komunitetet dhe për t’i kthyer vendbanimet e komuniteteve tona në terriore ku asgjë nuk është e pamundur dhe ku ëndrrat dhe shpresat e të rinjve janë të realizueshme.
Pala tjetër, vijoi Rama, nuk ka projekte apo ide. “Kandidati i PD-së për Mirditën është aktualisht kryetar komune. Pyeteni atë kandidatin a ka bërë ndonjë përpjekje këto 18 muaj që të takohet me mua apo ndonjë ministër dhe të sjellë ndonjë projekt. As ai dhe asnjë kryetar bashkie apo komune i PD-së nuk ka bërë asnjë përpjekje për të marrë mbështetjen e qeverisë”, tha Rama, duke shtuar se në fakt ata as nuk dinë të bëjnë projekte zhvillimore për komunitetin.
Sipas tij, aleanca e djathtë ofron në këto zgjedhje vetëm kandidatë për sherr, që merren me politikën e madhe, me qeverinë dhe me probleme që nuk kanë lidhje fare me bashkinë e kryetarin e bashkisë. “Premtojnë uljen e çmimit të dritave, kur kjo nuk ka asnjë lidhje me mandatin e një kryetari bashkie. Sepse PD do që të ketë në çdo bashki dikë që të mos bëjë asnjë punë, por që të dalë të dera dhe të thotë se ka fajin e ka qeveria”, tha Rama.
Ndërkohë që sipas tij, zgjedhjet vendore janë për të çuar para një projekt, dhe ai është projekti i rilindjes, për të kuptuar se jemi dy botë të ndryshme.
Ai shprehu bindjen se duke propozuar Ndrecën për kryetar bashkie të Mirditës, ASHE propozon që qytetarët të investojnë të gjithë së bashku për të pasur një kryetar bashkie që punon për ta.
“Jemi në pritje të përfundimit të zgjedhjeve, sepse reforma territoriale lidhet me administrimin e territorit. Tani kemi vetëm 61 bashki dhe çdo bashki do të ketë sistemin e vetë të ujësjellësit dhe do të ketë përgjegjës drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë me të cilin qeveria do të bashkëpunojë fuqishëm që brenda 4 vitesh të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm”, tha Rama.
Kryeministri premtoi gjithashtu zgjidhje edhe për problemin e plehrave dhe të transportit. “Do të ndërtojmë shërbim transporti urban për çdo bashki si dhe do të përmirësojmë infrastrukturën. Këto zgjedhje janë për këto punë. Nuk ka rëndësi nëse je me PD-në, LSI-në, apo PS-në, por duhet të mendojmë se cili është kandidati që na jep mundësinë që të përmirësohet jeta e komunitetit”, vijoi Rama.
Ai vlerësoi gjithashtu faktin se në këto zgjedhje, ASHE ka një përfaqësim 50 për qind gra dhe vajza në këshillat bashkiakë.
“Jam i bindur se do të bëjmë punë të mëdha për Mirditën, sepse edhe rikompozimi i bashkive ka kthyer në identitet Mirditën”, tha Rama.