Kryeministri Rama ka deklaruar në emisionin “Opinion” se akuzat e Tom Doshit për një vrasje të porositur nga kryetari i kuvendit, Ilir Meta janë një farsë që drejtësia duhet ta zbardhë se kush e ka organizuar.
Sipas tij që në krye të herës për policinë që ka ndjekur çështjen, nuk ka pasur asnjë përpjekje për të eliminuar Tom Doshi dhe kjo i është thënë disa herë deputetit.
Rama tha se hetimet po zhvillohet në kohën e duhur, pasi deri para se të shpërthente një akuzë konkrete nuk kishte asnjë kallëzim nga Doshi dhe asnjë deponim nga i penduari.
Ai u shpreh se në parlament u duk qartë se kush do ishte i interesuar për këtë farsë, që sipas tij ka rezultuar në marrjen peng të opinionit publik dhe parlamentit. Rama nënvizoi se përjashtimi i Doshit nuk ka asnjë lidhje me akuzat e tij për vrasje, por sepse Doshi i shpalli luftë kryeministrit.
Rama nuk ka preferuar të komentojë deklaratat e deputetit Ben Blushi se çarja mes Doshit dhe kryeministrit është histori e dy shokëve të ngushtë që janë prishur për arsye personale.
Kryeministri foli edhe për shpërthimet dhe tritol dhe vrasjet duke thënë se situata është e përmirësuar në raport me një vit më parë.
I pyetur për deklaratat e presidentit Nishani se kryeministri e kishte fyer në telefon për mosdekretimin e Visaz Zhitit si ambasador në Vatikan, kryeministri Rama konfirmoi bisedën, por tha se nuk e kishte fyer dhe as ofenduar presidentin.