Rama në Lushnje: Rritja e investimit në sera, impakt tek eksportet

“Agro100 (sera)” është programi më i ri qeveritar për trefishimin e sipërfaqes me sera deri në fund të vitit 2017 dhe përdorimin e teknologjive inovative.

Kjo paketë e re financiare, së bashku me përftimet nga programi i Fondit Kombëtar të Garancisë në bujqësi synon mbështetjen e eksporteve të produkteve shqiptare, që prej dy vitesh janë në rritje.

Advertisement

Për të promovuar këtë mbështetje të re me prodhuesit dhe agropërpunuesit, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot, serat e “Agrocon” në Krutje të Lushnjes, ku po vazhdon investimi për ngritjen e serave më të mëdha e moderne në vend.

Përmes programit “Agro100”, qeveria do të ofrojë mbështetje direkte financiare për ata investitorë që do të ndërtojnë sera nga 10 deri në 100 hektarë. Gjatë këtyre dy viteve, qeveria ka mbështetur me incentiva të ndryshme rritjen e sipërfaqes me sera, e cila, krahasuar me vitin 2013, është dyfishuar. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e eksporteve bujqësore në vitin 2015.

“Në dy vjet e kemi dyfishuar sipërfaqen e serave dhe kjo ka sjellë një impakt të menjëhershëm në eksport. Viti 2015 ka pasur një bum të eksporteve dhe një zhvillim shumë pozitiv edhe për tregun e brendshëm. Por tani duam të çojmë më përpara procesin e  mbështetjes direkte. Për 10 ha sera, ne do të japim 100 mijë dollarë në 5 vjet. Për 100 ha fermë, do të japim 1 milionë dollarë në 5 vjet, mbështetje direkte,” – u shpreh Kryeministri Rama, që shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.

“Agrocon” me një investim në fazën e parë prej 5 milionë euro po ngre serat më të mëdha në vend me shtrirje deri në 10 hektarë dhe vlerë totale investimi 25 milionë euro në përfundim të projektit. Aktiviteti i kompanisë përfshin një numër zinxhir procesesh, që nga investimi në prodhimin e produkteve bujqësore në ndërtimi e një qendre të madhe të grumbullimit dhe procesimit të tyre si selektimi dhe ambalazhimi, me qëllim eksportin, kryesisht në tregjet e Europës Perëndimore. “Jemi në fazën e ndërtimit dhe në total do të shkoj në 10 hektarë sera. Serat janë të teknologjisë së lartë. Për produktin shqiptar ka një kërkesë jashtëzakonisht të madhe të eksportit. E rëndësishme është të plotësohet standardi dhe sasia,” – tha Florian Lama, përfaqësues i kompanisë.

Po ashtu, Fondi Kombëtar i Garancisë në bujqësi prej 300 milionë euro do të ofrojë mbështetje për kreditim nga bankat, me fokus edhe investimet për shtimin e sipërfaqes së mbjellë në sera dhe teknologjive inovative.

“Tani të gjithë kanë në dispozicion Fondin e Garancisë shtetërore për të marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë, me interesa shumë më të ulëta sesa ato të zakonshme dhe e gjitha kjo i dedikohet bujqësisë. Janë 300 milion euro potencialisht që mund të shfrytëzohen nga të gjithë prodhuesit, agropërpunuesit, apo të gjithë ata që duan të hyjnë në këtë sektor. Nuk do të jetë fermeri apo prodhuesi që do të shkojë tek banka, por do të jetë AZHBR që do të aplikojë për t’ia lehtësuar plotësisht fermerit,” – theksoi Kryeministri.

Dy programet e reja financiare, që i shtrijnë efektet në disa vite, do të sigurojnë mbështetjen më të madhe që i është dhënë zhvillimit të prodhimit bujqësor, eksporteve dhe punësimit.

“Është një hop i madh cilësor në marrëdhënien mes shtetit dhe fshatit. Jemi të bindur që do të sjellim shumë më tepër punësim, shumë më tepër prodhim, shumë më tepër eksport dhe sigurisht, edhe shumë më tepër larmi në tregun e brendshëm, sepse, faktikisht, edhe nga shifrat e fundit, impakti në tregun  brendshëm ka qenë goxha i rëndësishëm,” – u shpreh Kryeministri.

Produktet e fermerëve shqiptarë do të jenë më të sigurta nga përmbytjet, të cilat për vite me radhë u kthyen në kërcënimin më serioz të bujqësisë. 45 projekte madhore të qeverisë në bashkëpunim me donatorë të huaj janë parashikuar për rehabilitimin tërësor dhe të qëndrueshëm të sistemit të ujitjes dhe modernizimin e parametrave të sigurisë, sidomos në tokat me peshën më të madhe të prodhimeve bujqësore. Ndërhyrjet në sistemet e sigurisë dhe vaditjes e kullimit, për t’i përmirësuar ato, do të garantojnë një menaxhim më të mirë të sistemeve ujitëse, me qëllim shtimin e produktivitetit të tokës dhe prodhimit bujqësor.

Një prej këtyre projekteve është ai për rehabilitimin e digës Murriz-Thanë, në Lushnje, e cila është një nga digat dhe rezervuarët më të mëdhenj në vend. Si rezultat i dëmtimeve të njëpasnjëshme, ky rezervuar nuk mbushej dhe nuk shfrytëzohej me kapacitet të plotë.  Investimi prej 1,9 milionë euro i qeverisë konsiston në rehabilitimin tërësor të trupit të digës dhe sistemit të drenazhimit, duke garantuar dhe përmirësuar njëkohësisht kapacitetin ujëmbledhës.

Rehabilitimi i Digës së Murriz – Thanës garanton furnizimin me ujë të skemës së Murriz Thanës 29500 ha, si dhe ndikon në përmirësimin dhe garantimin e furnizimit me ujë të skemës së Divjakës 3000 ha. Pas rehabilitimit të kësaj dige i hapet rruga rehabilitimit dhe përmirësimit të skemave ujitëse Murriz -Thanë dhe Divjakë, për të cilat po përgatitet studimi i fizibilitetit dhe projektet e detajuara. Realizimi i këtij projekti do t’u rikthejë fermerëve lushnjarë sigurinë për produktet të cilat kultivojnë.

Për të inspektuar ecurinë e projektit ishin sot në Lushnje, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe drejtues lokalë të zonës.

Kryeministri tha se tashmë, fokusi do të jetë ripërtëritja e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe pastrimi i kanaleve dytësore e tretësore, përmes një programi financimi nga më të mëdhenjtë që është bërë ndonjëherë. “Duhet të fokusohemi shumë fort tek ripërtëritja e infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit, tek pastrimi i kanaleve dytësore dhe tretësore. Programi i financimit është më i madhi që është bërë ndonjëherë, qoftë për strukturat qendrore, 4 bordet e ristrukturuara të kullimit në rang territori të Shqipërisë, qoftë për bashkitë. Faktikisht, për këtë zonë, për të gjithë Myzeqenë kemi dhënë një financim të konsiderueshëm që bashkitë të fillojnë menjëherë për të hequr gjithë llumin e 20 viteve, që s’i ka prekur njeri me dorë dhe që ka penguar shumë njerëz për të marrë ujin.”

Kryeministri inspektoi edhe punimet për ndërtimin e rrugës Kamçisht-Ngurrëz e Vogël në Lushnjë. Rruga prej 2.6 kilometrash shtrihet në komunën Krutje në Lushnje dhe ndërlidh këtë zonë intensive bujqësore me rrjetin rrugor rajonal, çka ju lehtëson prodhuesve bujqësor të zonës, ferma dhe sera, në nxjerrjen e produkteve të tyre në treg. Rruga është një investim prej 42 milionë lekë.​