Aleanca për Shqipërinë Europiane në Lezhë përmbylli fushatën elektorale të kandidatit Viktor Tusha me një skenografi e ngjashme me mitingjet elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Edi Rama tha se ai dhe aleati Meta kanë vullnet të hekurt për të mbështetur programet e kandidatëve të majtë. Jemi të vetëdijshëm, tha shefi i qeverisë për vështirësitë e qytetarëve.
“Jemi të vetëdijshëm për vuajtjet, jemi të vetëdijshëm për sakrificat, jemi të vetëdijshëm për problemet e panumërta, por kjo na bënë shumë herë më të përgjegjshëm për domosdoshmërinë që t’i zgjidhim këto probleme. Çdo banor dhe çdo familje e kësaj zone njerëzish të mençur, punëtorë dhe fisnikë, nuk ka pritur që në 18 muaj të bilancit tonë të parë, ne të zgjidhnim të gjitha ato probleme dhe të kuronim të gjitha ato plagë që u hapën në vite të tëra. Por në 18 muaj ne kemi dhënë provën e sigurt se jemi fuqia që mund të bëjë, që po bën dhe që do ta bëjë me patjetër shtetin që meritojnë shqiptarët”, tha Rama.
Rama bëri këtë konstatim për modelin e zgjedhur nga PD-ja në këtë fushatë elektorale.
“Partia Demokratike është një pasuri kombëtare, por sot është në duar të gabuara, është në drejtimin e paditur. Unë besoj se është çështje që PD-ja të zgjohet nga gjendja e epilepsisë që e ka zënë që nga 23 qershori i 2013-ës. Ju them sinqerisht që më vjen për të qarë, pasi është bërë një forcë e cila do të ishte udhëhequr shumë më me dinjitet nga Sudja”, tha Kryeministri.
Fisnikëria e lezhjanëve, tha deputetja e zonës, Monika Kryemadhi, është detyrim për të punuar më shumë.
“Në datën 21 Qershor të votojmë Viktor Tushën sepse është drejtimi i duhur; është vizioni për të ardhmen për të pasur një Lezhë europiane; për të pasur një Lezhë që e meritojnë të rinjtë e këtij qyteti, për t’u kthyer nga emigracioni dhe për të qenë më europiane se sa jetojnë në vendet e Europës”, tha Kryemadhi.