Rama në Kukës: T’i kthejmë gjërat në drejtimin e duhur

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Kukës, premtoi se shumë shpejt do të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm dhe se do të rregullohet rruga e Shishtavecit.
“Ju siguroj se uji i pijshëm do të jetë problem i zgjidhur. Do të rregullojmë edhe rrugën e Shishtavecit, në mënyrë që të lidhim pikën intensive të prodhimit të patatas me tregun. E kemi financuar plotësisht dhe në vjeshtë do jetë gati”, tha Rama.
Kreu i Partisë Socialiste tha se është i vetëdijshëm për problemet që ka ky qytet, “por gjithçka do të ndryshojë shumë shpejt”.
“Nuk po e bëjmë parajsë Kukësin, pasi jemi të vetëdijshëm për varfërinë që ka këtu. E dimë që është problem papunësia dhe që administrata nuk u shërben qytetarëve. Të gjitha këto i dimë dhe i ndjejmë njësoj siç i ndjeni ju. Nga ana tjetër, jam i bindur se në Kukës nuk ka budallenj të besojnë se këto probleme i solli 23 qershori. Përgjegjësit ishin ata që kishin shumicën para 23 qershorit 2013. Në 18 muaj ne nuk i kemi zgjidhur, por kemi dhënë provën se dimë t’i lexojmë problemet dhe kemi forcën për t’i kthyer gjërat në drejtimin e duhur”, u shpreh Rama.

Advertisement