Mazhoranca prezantoi në rrënojat e hershme të Apolonisë, kandidatin e saj për Bashkinë e Fierit, Armando Subashin.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama kërkoi mbështetjen e qytetarëve fierakë për kandidatin socialist për t’i dhënë besimin “që ta kthejë me punë dhe përkushtim në projekte dhe vepra konkrete, duke çuar më tutje bashkinë e re të Fierit në drejtimin e duhur”. Ai tha se vota për PD-në është votë e hedhur në drejtimin e gabuar.
“Kryetari i Saliut atje kërcënon qytetarët se po votuan PD-në do të mbeten pa punë, pa ujë e të tjera. Të votosh për një kandidat të PD-së sot, do të thotë ta çosh votën në drejtimin më të gabuar dhe ta lësh bashkinë pa timon, pa drejtues, pa drejtim. Kam besim që shumë nuk do e çojnë votën kot. Le t’ia japin votën PD-së për këshillat bashkiakë”, tha kryeministri.
Rama radhiti një sërë objektivash të arritura nga mazhoranca e majtë, sipas tij, në këto 18 muaj qeverisjeje.
“Kanë qenë 18 muaj shumë të ngjeshur, me vështirësi të jashtëzakonshme duke nisur me përballjen e hemoragjisë së të shkuarës nga keqqeverisja, dhe një borxh shumë të madh që ne gjetëm pasi morëm detyrën, dhe ata që rrënuan Shqipërinë e kishin fshehur, duke ua lënë në kurriz shumë sipërmarrësve”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se në “18 muaj është ndalur hemoragjia në të gjithë sektorët e jetës dhe kemi filluar të kthejmë vendin në drejtimin e duhur, ekonominë, financat, energjinë, marrëdhënien me territorin dhe me radhë me bujqësinë, arsimin, shëndetësinë”.
Kryeministri vlerësoi së zgjedhjet e 21 Qershorit janë me një rëndësi të veçantë për shkak të ndarjes së re, ndarje që sipas tij, nuk është bërë thjesht për të zmadhuar një njësi, por bazuar në potencialet e zhvillimit të rajoneve, dhe për këtë kërkoi votën për të pasur një përfaqësues partner dhe dinjitoz të qeverisë në Fier.
Në takim merrnin pjesë edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, ai i LSI-së dhe kryetari aktual i bashkisë, Baftjar Zeqo, i cili vlerësoi reformën administrativo-territoriale si një nga më të mirat që është bërë ndonjëherë.