Në vijim të fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të martë në Berat, ku ka shpallur hapjen e konkursit për ishullin e Osumit.
Gjatë takimit me banorët, Rama tha se, programi i koalicionit të majtë Rilindja Urbane parashikon zhvillimin e mëtejshëm të këtij qyteti, transformimi i të cilit tashmë ka nisur.
“Ne synojmë një zhvillim të ri që do të jetë një vlerë e madhe e shtuar e transformimit rrënjësor që ka nisur Berati. Në programin tonë Berati zë vend kryesor, sepse është një nga thesarët më të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore dhe pjesë e asaj botërore”, tha Rama.
Ai vuri në dukje se, për shumë vite Berati u la në harresë dhe përjetoi një erozion të kohës e braktisjes prej shkëputjes nga pjesa tjetër e Shqipërisë, për shkak se rruga lidhëse u bë e pakalueshme.
“Ndërsa në këto 18 muaj ne jemi krenarë, sepse i kemi hapur rrugë një transformimi të jashtëzakonshëm, i cili do të vazhdojë me intensitet. Ky është një transformim që lidhet jo thjesht me zbukurimin e qytetit, por me ekonominë, komunitetin, krijimin e një frymëmarrjeje të re jo vetëm për ata që jetojnë në këtë qytet, por në tërë Bashkinë e Beratit, që pas 21 Qershorit do të jetë një njësi shumë më e madhe, që do të përfshijë edhe një sërë hapësirash rurale me potencial të madh zhvillimi”, shtoi Rama.