Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij kosovar, Isa Mustafa, deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjeve mes dy qeverive do të konsolidojë një proces pa kthim të bashkimit të të gjitha forcave, drejt qëllimit të përbashkët: “Bashkim kombëtar, përmes Bashkimit Europian”.Duke bërë bilancin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, të cilin kryeministri e konsideroi “një moment të suksesshëm në rrugën e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë”, Rama u ndal tek marrëveshjet e nënshkruara sot nga ministrat e dy kabineteve.
Kryeministri shqiptar shprehu vendosmërinë për heqjen brenda vitit të barrierave administrative dhe njehsimin e dokumenteve të nevojshëm të tregtisë, në mënyrë që sipërmarrësit të mos jenë të detyruar të punojnë me dy palë dokumente, kur është fjala për shkëmbime tregtare, sidomos për produktet bujqësore.
Në kuadër të lehtësimit të komunikimit në pikat kufitare, kryeministri Rama bëri të ditur se duke nisur nga ky sezon veror qytetarët, sidomos ata kosovarë, nuk do të provojnë më radhët e gjata në pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve.
Po ashtu, Rama informoi dhe për marrëveshjen mes ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, lidhur me organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
“Kështu ecim më tej me unifikimin e sistemit tonë arsimor, një angazhim themelor në rrugën e bashkimit të institucioneve të dy shteteve tona për të funksionuar si një forcë e vetme në shërbim të një populli”, tha Rama.
Mbledhja e përbashkët e dy qeverive konkludoi dhe një deklaratë të përbashkët në fushën e zhvillimit të zonave ndërkufitare, e cila tha kryeministri shqiptar “do t’i japë një shtysë të fortë, konkrete projekteve që do të dinamizojnë ekonominë në zonat kufitare dhe do të krijojnë modele të integruara të zhvillimit ekonomik e social mes shqiptarëve në të dy anët e vijës kufitare, në funksion të një transformimi të rëndësishëm”.
Një tjetër moment me rëndësi në axhendën e qeverive të dy vendeve është dhe unifikimi në fushën e diplomacisë, duke u ndalur tek përfaqësimi me seli të përbashkët, si rasti i Konsullatës në Milano, që do të pasohet nga konsullata e përbashkët në Mynih.
“Guxuam me konsullatën e përbashkët në Milano dhe së shpejti do të hapet konsullatë e përbashkët në Mynih. Reagimi pozitiv i qytetarëve tanë na imponon të shkojmë më tutje në këtë proces dhe të vazhdojmë të unifikojmë shërbimin tonë diplomatik edhe me më kurajë, edhe me më shpejtësi”, tha kryeministri Rama.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vlerësoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe që synojnë zhvillimin e përbashkët të të dy vendeve, përmes politikave dhe objektivave të përbashkët.
“Sot nënshkruam 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle që zona ndërkufitare me Shqipërinë ta lidhim edhe më tepër, që të ofrojmë shërbime publike, në arsim e shëndetësi. Ne e konsiderojmë të rëndësisë së veçantë marrëveshjen në fushën e sigurisë, që do të mundësojë lëvizjen shumë më të lehtë të qytetarëve, një kontroll më të madh, por edhe një kontribut më të madh sigurisë së dy vendeve, por dhe për rajonin”, u shpreh kryeministri Mustafa në konferencën për shtyp.
Sa i takon marrëveshjeve në fushën e ekonomisë, Mustafa veçoi atë në sektorin e financave, si çelësin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.