Rama-Meta: Standardet e zgjedhjeve më të rëndësishme se rezultati

Drejtuesit e koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe aleati i tij, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, dolën mesditën e sotme në një konferencë të përbashkët për shtyp, në përmbyllje të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 21 qershorit.

Në deklaratën e tyre, dy aleatët vecuan fushatën korrekte përgjatë këtyre javëve, ndërsa i bënë thirrje shqiptarëve të marrin pjesë të dielën në votime, të konsideruara prej tyre historike për reformimin e qeverisjes vendore. Rama dhe Meta theksuan se mbajtja e një procesi sipas standardeve, eshtë më i rëndësishëm se rezultati i zgjedhjeve.
Në fillim të fjalës së tij, Edi Rama, kryetar i PS-së dhe kryeministër i vendit, tha se do të krijojmë kushtet optimale që dita e votimeve, 21 qershori, të jetë një ditë feste për demokracinë. Kreu i qeverisë theksoi se këto janë zgjedhjet më të qeta dhe më të pandikuara politikisht.

Advertisement

“Si qeveri kemi përgjegjësinë për të krijuar kushtet optimale që 21 qershori të jetë një ditë feste për demokracinë. Në këndvështrimin tonë e timin personalisht këto  jane sot zgjedhjet më të qetat dhe në pikëpamjen e marrëdhënieve të pushtetit me procesin, më të pandikuarat artificialisht”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u ndal tek fushata zgjedhore, për të cilin tha ai nuk u angazhuan nxënësit e shkollave apo punonjësit e administratës.

“Në gjithë këtë fushatë nuk ka ndodhur në asnjë rast që të merren në rresht nxënësit e shkollave apo nëpunësit e administratës shtetërore, siç ka ndodhur në fushatën e shkuar. Në asnjë rast nëpunësit e shtetit nuk janë gjendur nën presion imponues për t qenë të pranishëm në mitingje apo për të dorëzuar kartën e identitetit siç ndodhte në të shkuarën”, u shpreh Rama. Po ashtu, vijoi ai, dhe Ushtria shqiptare nuk ka qënë e përfshirë në asnjë veprimtari në fushatë, ndërsa shtoi, se për herë të parë buxheti i shtetit nuk u bë pjesë e shpenzmeve elektorale.
“I nënvizojmë këto për të thënë se shteti në këtë fushatë ka qenë tërësisht i ndarë nga qëllimet tona si parti e koalicionit dhe të ambicieve për të fituar zgjedhjet”, tha Rama.

Duke u ndalur tek dita e votimeve, kryetari i PS-së theksoi rëndësinë e integritetit të këtij procesi, i cili, tha ai, duhet të respektojë standardet më të mira zgjedhore.

“Zgjedhjet duhet të shihen si një përmirësim i rëndësishëm cilësor dhe pavarësisht defekteve që mund të kenë, se ato nuk mungojnë as në vende më të zhvilluara se Shqipëria, me rëndësi është të garantohet pjesëmarrja në to”, tha Rama.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e integritetit të votës, për çdo subjekt elektoral, që është pjesë e fletës së votimit për këshillat e bashkive. Ne duam që në numërim rezultati të jetë ai që kanë kërkuar dhe imponuar zgjedhësit dhe integriteti i procesit ka rëndësi themelore dhe për Shqipërinë dhe për përfaqësimin tonë të mëtejshëm në BE. Nuk është e rëndësishme se kush fiton dhe sa fiton në numra, por me rëndësi është të fitojmë një standard të ri zgjedhjesh, për të cilin jemi të angazhuar që nga sekonda e parë”, u shpreh Rama.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta duke vlerësuar fushatën e qetë zgjedhore që përmbyllet sot, ftoi shqiptarët që të marrin pjesë të dielën në votime, e cila, sipas tij, nuk është një ditë e zakonshme, por është një ditë historike, pasi ndan Shqipërinë nga periudha e vjetër e keqmenazhimit të pushtetit vendor.

Ai theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së mëtejshme të procesit zgjedhor, sidomos të fazës së votimit dhe më pas asaj të numërimit të votave. “Një standard shumë i rëndësishëm, tha Meta, është pjesëmarrja në votime, ndaj u bëj thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë që të mos mungojnë në këtë ditë, pasi nuk është një ditë e zakonshme, por është një ditë historike se e ndan Shqipërinë nga një periudhë e vjetër keqadministrimi e pushtetit vendor dhe hap një epokë të re duke krijuar standarde të reja për qytetarin dhe zhvillimin e 61 bashkive të reja”, u shpreh kreu i LSI-se.

Meta në deklaratën e tij theksoi rëndësinë që vota e shqiptarëve më 21 qershor të jetë e lirë dhe e pandikuar nga çdo formë presioni dhe shantazhi. Po ashtu është e nevojshme, tha ai, që komisionerët dhe vëzhguesit të evitojnë çdo lloj ndikimi para dhe gjatë momentit të votimit.

Ai ftoi qytetarët të denoncojnë çdo formë presioni, ndërsa kërkoi nga organet ligjzbatuese që të vazhdojnë të garantojnë me paanësi rendin dhe sigurinë dhe të godasin pa mëshirë çdo element kriminal, që përpiqet të ndikojë përpara apo gjatë procesit të votimit, kushdo qoftë dhe ndaj kujtdo. “Për ne ka rëndësi standardi i zgjedhjeve dhe jo rezultati i tyre”, nënvizoi Meta.
Kryetari i LSI-së kërkoi nga komisionerët që të mbrojnë votën e çdo qytetari shqiptar, pasi asnjë votë nuk duhet të deformohet as para procesit dhe as gjatë numërimit. Çdo votë është e rëndësishme, shtoi Meta, aq më shumë në zgjedhjet vendore.