Kryetari i Kuvendit dhe kryeministri Edi Rama, kanë prezantuar sot në qytetin e Delvinës, kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Rigels Balili.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se “Duam që Delvina të hyjë në një rrugë të sigurt të zhvillimit të progresit, të ripërtëritjes së traditave të saj më të mira dhe më të shkëlqyera, që Delvina t’i japë fund agonisë së saj si bashki. Vetëm Rigels Balili dhe projekti ynë i Shqipërisë Europiane dhe i ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ do të bëjë të mundur që në Delvinë të hapen vende të reja pune, që Delvina të mbështetet në rrugën e progresit social dhe ekonomik”.
“Populli i Delvinës do të mbështesë masivisht aleancën tonë për Shqipërinë Europiane, do të mbështesë masivisht kandidatin tonë të përbashkët Rigels Balili, në mënyrë që edhe ne t’ia kthejmë këtë mbështetje në mënyrën më të fuqishme , pas 21 qershorit, me projekte konkrete për të zhvilluar të gjithë këtë bashki të re. Delvina ka nevojë për këto energji të reja. Ka nevojë për këto angazhime të reja, për projekte të reja në mënyrë që ajo ta rimarrë veten, t’i rikthehet traditave më të mira të saj, në mënyrë që Delvina të bëhet sa më e jetueshme për të gjitha gjeneratat dhe sidomos për të rinjtë dhe të rejat e saj, ndaj të gjitha votat për Rigels Balilin”, tha Meta.
Ndërsa kryeministri Edi Rama kërkoi mbështetjen e komunitetit të Delvinës për kandidatin e përbashkët të së majtës me qëllimin realizimin e projekteve për përmirësimin e jetës për qytetarët.
“Jepini të gjithë fuqinë e nevojshme fushatës së Rigelsit dhe jo vetëm votën, por këtë herë me të gjithë fqinjët, me të gjithë ata që janë me PD-në. Thuajuni demokratëve që vota është për çfarë do të bëhet këtu në qytet. Nuk është për politikën e madhe. Le ta tundin flamurin e PD-së, sepse nuk prish punë, por votën ta japin për kandidatin e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ që të shikojnë edhe këtu në Delvinë ndryshimin që ka filluar të përfshijë të gjithë Shqipërinë. Dhe këtë ndryshim mund ta bëjnë vetëm duke bashkëpunuar drejtpërdrejtë qeveria dhe bashkia me kandidatin e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’. I kemi dhënë së bashku mbështetje pa asnjë hezitim Rigelsit sepse është një djalë i ri, energjik dhe mbi të gjitha, është një njeri që jam i bindur që nuk do të bëjë dallime këta edhe ata, por do t’u shërbejë njësoj edhe socialistëve dhe demokratëve edhe të gjithë qytetarëve të tjerë dhe do të lërë një emër të mirë duke punuar në shërbimin tuaj 24 orë në 24 orë”, tha Rama.